Këngët dhe humori i tij, u rikthyen sërish në oborret e shtëpive shkodrane me të njëjtin emocion si përpara 50 vitesh.
Pjetër Gjini, poeti, muzikanti dhe parodisti i njohur i Shkodrës, u përkujtua në një mbrëmje artistike në qendrën rinore “Arka” mes miqsh, artistësh e intelektualësh të qytetit.
“Në kohën e komunizmit kur promovohej kultura zyrtare, kultura e realizimit socialist, ai mbajti gjallë përmes familjeve shkodranë shpirtin e rezistencës paqësore, të një rezistence kulturore”, tha shkrimtari dhe studiuesi Stefan Çapaliku.
“I dhuroi publikut dy albume këngësh të kulturës perëndimore, të përkthyera dhe të shqipëruara nga ana e tij. Unë mendoj që falë Pjetër Gjinit, janë bërë shumë të njohura në të gjithë Shqipërinë por sidomos në Shkodër”, tha Lorenc Radovani , pedagog i Universitetit të Arteve.
“Gjithmonë mbetet emocion, gjithmonë kënaqësi për të kënduar për një njeri, për një gjeni, me të cilin kisha fatin të këndoja më të”, tha këngëtari Albert Naraci.
Leopold Shkreli, ka kaluar disa vite në burgjet e komunizmit në të njëjtën qeli me Pjetrin, i cili u dënua për bindjet e tij pro perëndimit.
“Që kur shkova në fillim më trajtoi shumë miqësisht dhe insistoi që unë të mësoja italisht dhe këtë italishte që unë sot di, e kam falë Pjetër Gjinit. Ma besoni, në kohën kur bente shfaqje, të gjithë njerëzit harronim që ishim në burg, i krijonte kënaqësi të gjithëve”, tha Shkreli.
Pjetër Gjini zotëronte 4 gjuhë të huaja dhe ka shkruar disa libra. Krijimtaria e tij e gjerë, për shkak të rrethanave politike gjatë dikaturës komuniste, me qëllim u la në heshtje, por ka mbetur në kujtesën dhe mendjen e shkodranëve.
Top Channel