Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar Aleancën euroatlantike se nëse nuk rivendos kontrollin në veriun e Kosovës, do të përballet me dhunën e vazhdueshme midis serbëve dhe shqiptarëve etnikë në rajon.
Në një intervistë për prestigjozen britanike “The Financial Times” pas tensioneve në veri – ku forcat paramilitare serbe vranë një efektiv shqiptar dhe më pas morën peng Manastirin e Banjskës, ndërsa nga shkëmbimi i zjarrit me autoritetet ligjzbatuese mbetën të vdekur 3 terroristë – Rama e konsideroi Kosovën një pikë të nxehtë.
“Kosova është një pikë e nxehtë. Me kalimin e viteve është bërë toka e askujt, ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur”, tha Rama.
NATO tha se do të vendoste sa më shumë trupa paqeruajtëse të nevojshme për të stabilizuar situatën, ndërsa Gjermania dhe Britania e Madhe tashmë kanë premtuar dislokimin e qindra ushtarëve në krye të forcës ekzistuese prej 4 500 trupash për të mbajtur rajonin nën kontroll.
Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë i kanë bërë gjithashtu thirrje NATO-s që të rrisë praninë e saj ushtarake dhe të qetësojë tensionet. Kosova ka fajësuar Serbinë për sponsorizimin e sulmit dhe për lëvizjen e njësive të ushtrisë afër kufirit të Kosovës, në atë që tregonte qëllime luftarake.
Beogradi mohoi të kishte organizuar plane të tilla, por po strehon udhëheqësin e milicisë, Milan Radojçiç, i cili kreu rrethimin e manastirit. Pas sulmit të atij manastiri, autoritetet e Kosovës gjetën një depo të madhe armësh, duke përfshirë eksplozivë, artileri të rëndë dhe automjete ushtarake.
Shqiptarët përbëjnë grupin etnik më të madh në Kosovë, i cili u shkëput nga Serbia në vitin 2008. Beogradi nuk e ka njohur atë si një komb të pavarur, një hap i ndërmarrë nga SHBA-ja dhe shumica e vendeve të BE-së. Një pakicë etnike serbe është e përqendruar në pjesën veriore të Kosovës dhe ka refuzuar autoritetin e Prishtinës, duke organizuar protesta dhe bllokada të shumta gjatë vitit të kaluar.
BE-ja, SHBA-ja dhe fuqitë e tjera perëndimore janë përpjekur të ndërmjetësojnë bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës, por pavarësisht se ishin afër një marrëveshjeje në mars, propozimet u shpërbënë si rezultat i zgjedhjeve të diskutueshme komunale në veri të Kosovës.
Rama përkrahu një konferencë të nivelit të lartë që përfshinte liderët e Francës dhe Gjermanisë dhe riangazhimin e SHBA-së, duke theksuar se:“Kjo është mënyra më e mirë për të dalë nga kjo çmenduri e pafund.”
Kryeministri shqiptar tha se ai kishte tërhequr tashmë vëmendjen për përkeqësimin e situatës së sigurisë në Kosovë gjatë një samiti të NATO-s, në korrik.
“Qëllimi ishte njohja e plotë e Kosovës në BE dhe në Kombet e Bashkuara. Nuk është e lehtë të ndryshosh rrjedhën e historisë, kjo kërkon lidership”, tha Rama, duke shtuar se:“Nëse Franca dhe Gjermania mundën ta bënin atë pas Luftës së Dytë Botërore, nëse Arabia Saudite dhe Izraeli mund ta bëjnë atë, atëherë ne e dimë se kjo mund të ndodhë.”
Rama, për një kohë të gjatë u përmbajt nga përfshirja në konfliktin e Kosovës, në vend të kësaj, ai ndërtoi lidhje të përzemërta me Beogradin ndërsa kërkonte të bënte progres në rrugën e anëtarësimit në BE për Ballkanin Perëndimor. Por, duke pasur parasysh kërcënimin në rritje të sigurisë jo vetëm për shqiptarët në Kosovë, por edhe për rajonin në tërësi, Rama tha se gjërat duhen thënë troç.
“Paqëndrueshmëria në Ballkanin Perëndimor i shërben interesave të Moskës. Kremlini do të dëshironte gjithashtu të shihte një Donbas të vogël në Kosovë dhe të ndizte një zjarr separatizmi në mes të Evropës. Ata e bëjnë këtë në të gjithë botën, nga Afrika në Lindjen e Mesme, kështu që sigurisht që do të provojnë edhe në Evropë… Kosova ka qenë gjithashtu një mjet për rusët”, tha Rama.
Rusia e ka mbështetur prej kohësh Serbinë dhe nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Dhe, megjithëse nuk dha asnjë provë për përfshirjen ruse në shpërthimin e fundit të tensioneve, Rama tha se ndërhyrja e Kremlinit ishte deduktimi më i thjeshtë që mund të bënte.
Top Channel