“Jam i apasionuar pas historisë.”
Kështu e filloi rrëfimin e tij për mikrofonin e Top Channel, Vangjel Dimo arkeologu 75-vjeçar nga Pojani i Fierit që nuk e braktisi kurrë profesionin e tij. Gjurmët e vjetra mund të jenë kudo, në vendet ku ne jetojmë apo përreth nesh, ndaj nevojiten sytë e profesionistëve për t’i studiuar burimet historike, tregon profesor Dimo.
Mes emocionesh, ai kujton me nostalgji kohën në universitet kur i erdhi një kërkesë për të punuar si ciceron në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, të cilën e pranoi me kënaqësi në shtator të vitit 1971 për ta vazhduar për vite me radhë deri në vitin 2008 kur doli në pension.
Dimo vlerëson se është me fat që ka njohur arkeologun Hasan Ceka, themeluesin e arkeologjisë shqiptare dhe studiues të tjerë të cilët ishin një burim frymëzimi për tiu përkushtuar studimeve të specializuara që i dhanë titujt shkencorë; Doktor shkencash në arkeologji dhe Profesor i Asociuar në fushën e kërkimit arkeologjik.
Pas 37 viteve si arkeolog , 75-vjeçari vijon të jetë aktiv edhe pas daljes në pension. Sot në shtëpinë e tij modeste tashmë ka projektuar një mini-muze kryesisht me veshje popullore myzeqare teksa nuk fsheh krenarinë që këtë profesion e ka trashëguar te djali i tij.
Top Channel