Deputeti demokrat Saimir Korreshi ka deklaruar se bujqësia ndodhet në ditën e saj më të zezë.
Nga foltorja e Kuvendit, Korreshi ka ironizuar pamjet e shpërndara nga deputeti socialist Erion Braçe nga vreshtat e Lushnjes, duke i kërkuar t’i tregojë sekretin se si zgjidhen problemet me selfie.
Në javën e gjelbërt, demokrati ka ngritur si çështje diskutimi problemet me subvencionet, vaditjen e tokave bujqësore, si dhe laboratorin për analizat e tokës që mungon në Lushnje. Po ashtu, Korreshi akuzoi socialistët për abuzim me shpërndarjen e tollonave të naftës tek bujku, kur tha se ato u ndanë dy ditë para zgjedhjeve “nga mbështetës të Partisë Socialiste që nuk kanë asnjë lidhje me bujqësinë.“
“Selfiet e këtyre ditëve kanë qenë shumë të ndjeshme për fermerët e Lushnjes, por mirë do të ishte të mos kishin shkuar vetëm këta të PS-së, pro të kishin dalë edhe këta të anëve tona (demokratët). S’ka vetëm PS këtu.
Ka 3 ditë që fermerët e shkretë dalin në arë vetëm për të bërë selfie, jo mo se nuk vaditet toka. Ata ngelen me telefon në dorë.
Tani o na tregoni se si ecën situata me selfiet, se për ndryshe nuk kemi terezi kështu. Së pari u uroj suksese në detyrën e vështirë të ministrisë së Bujqësisë. Së pari gruri është në magazinë sepse duhet të pyesni sa është kuintali i grurit. Iku gruri erdhi misri, po njëlloj.
Po pyesin nga Lushnja ore kush i mori këto subvencionet?
25 vite ka komuna e Dushkut pa u vaditur. Pyetini njerëzit se çfarë do të thonë.
E pra kjo është situata. Lushnja gjithë ky vend bujqësor, nuk ka një laborator por duhet të shkojmë në Krujë për të bërë analizat e tokës. Verifikojini njëherë pse u ndanë tollonat e naftës dy ditë para zgjedhjeve. Ka një kallëzim nga unë personalisht për këtë në Prokurorinë e Lushnjes. Është ndarë pikërisht nga mbështetës të Partisë Socialiste që nuk kanë asnjë lidhje me bujqësinë.
Verifikojini pse ajo shumë 400 mijë lekë të vjetra për hektarë serë nuk janë marrë nga fermerët, por u dhanë vetëm 186 mijë lekë. Nuk e dija se deri dje gjithçka zgjidhej me selfie, por bujqësia është në ditën e saj më të zezë. Doni të dini se si është vërtetë bujqësia, ejani dhe jua tregoj unë”- tha Korreshi.
Në kundërpërgjigje, Erion Braçe i tha Korreshit se ka demokratë që kanë përfituar më shumë se socialistët në Lushnje. Sipas deputetit të PS, fenomenet natyrore nuk varen nga pushteti. Por, “detyra e qeverisë është të adresojë ndryshimet klimatike”- tha Braçe, ndërsa me tone sarkastike i drejtohet Korreshit duke thënë: “Kujt nuk i ka pëlqyer shalqiri, pastaj rrushi e domatet, le të presë sezonin e preshit se është shumë afër”.
Korreshi: Më trego ku janë produktet bujqësore!
Braçe: Të tregoj edhe ndonjë gjë tjetër ty unë! Në këtë sallë ka edhe demokratë që janë më shumë socialistë se demokratë se kanë përfituar me shumë se socialistët atje në Lushnje.
Korreshi: Më trego listën.
Braçe: Do listën? Ti je i pari për shembull. Ajo që desha të thosha ka të bëjë me faktin se fenomenet natyrore nuk varen nga qeveria. Bie shi apo breshër sot nuk ka lidhje me ministrat apo kryeministrin. Detyra e qeverisë është të adresojë ndryshimet klimatike. Kur njëri këtu merrte shalqirin dhe i fuste kastravecin brenda unë flisja për ndryshimet klimatike. Nëse në këtë sallë ka akoma njerëz që mendojnë se ky ishte vit i keq bujqësor nuk i ndihmoj dot. Kujt nuk i ka pëlqyer shalqiri, pastaj rrushi e domatet le të presë sezonin e preshit se është shumë afër.
Korreshi: E para unë nuk tu referova përveç inputeve bujqësore. Meqë je deputet i Divjakës dil edhe nga këneta e Karavastasë se ka 12 vite që ruhen lekët. Le të verifikohet nga ministrja kush janë ata që kanë marrë naftë dhe kush jo. Unë këtë po them. Pse iku ministrja e Bujqësisë, nuk jam për preshin e sallatorin.
Top Channel