Serbia, drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme? Pritet dorëheqja e Bërnabic

02/10/2023 08:20

Një seri dorëheqjesh të kryetarëve të bashkive anembanë Serbisë, ka nxitur spekulimet se vendi po përgatitet për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare e rajonale.

Sipas vlerësimeve aktuale, zgjedhjet mund të mbahen më 17 dhjetor, e përveç dorëheqjes së kryetarëve të komunave, pritet të japë dorëheqje edhe kryeministrja Ana Brnabic. Kjo është një lloj përgjigje ndaj një pjese të opozitës që i ka kërkuar zgjedhje të reja presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Siç ka deklaruar edhe vetë presidenti i Serbisë, do të jenë së bashku zgjedhjet parlamentare e lokale, si dhe ato për qytetin e Beogradit dhe disa komunave. I pyetur nëse do të jetë përfaqësues i listës së Partisë Përparimtare Serbe (SNS), Vuçiç është përgjigjur se kjo do të ishte nder dhe kënaqësi për të.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme zakonisht mbahen për zgjidhjen e ndonjë krize politike, megjithatë analistët paralajmërojnë se as ato nuk do të zgjidhin asgjë në vend. Zoran Gavriloviç, nga Byroja e Kërkimeve Sociale (BIRODI), shprehet se i gjithë sistemi zgjedhor është në funksion të një partie dhe një personi.

“Nëse opozita i shihte zgjedhjet si një lloj strategjie për dalje nga kriza, pas dështimit praktik të protestave në rrugë në të gjithë Serbinë, nuk është saktësisht e qartë pse partia në pushtet dëshiron me kaq shpejtësi të mbajë zgjedhje të jashtëzakonshme”, shprehet për DW profesori i Fakultetit të Shkencave Politike, Çedomir Çupic. Ai beson se kjo situatë mund të jetë përshpejtuar nga zhvillimet në Kosovë, si dhe nga fakti që Vuçiç nga ana tjetër, po llogarit edhe me papërgatitjen e opozitës për zgjedhje.

Vetë opozita ende nuk ka hartuar ndonjë strategji elektorale dhe supozohet se në një hark kohor kaq të shkurtër nuk do të mund ta bëjë këtë siç duhet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA