Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, gjatë diskutimit në “Top Story” për përgjimet e “Sky”, u shpreh se në Shqipëri ka një dorë të madhe të fshehtë, e orkestruar nga pjesëtarë të krimit të organizuar.
Sipas tij këto grupe kriminale janë të orkestruara dhe në momentin që flitet për “Sky”-in, qëllimi i tyre është të tërhiqet menjëherë vëmendja nga çështja kryesore.
“Gjithë problemi që unë e kam ngritur prej ditësh si fenomen që më ka bërë përshtypje që më ka ngacmuar nga fjala e drejtuesit të SPAK-ut, zoti Dumani ka qenë fjala sindikatë. Unë do të shkoj përtej asaj, dua të them që në Shqipëri ka një dorë të madhe të fshehtë, jo e përbërë nga avokatë por e orkestruar nga pjesëtarë të krimit të organizuar, që kur ne flasim për çështjet e “Sky”-it, që janë shumë sensitive për ata.
Ata duan që gjithçka ta zhvendosin si vëmendje duke bërë tym, të zhvendosin mendjen nga gjërat që ne diskutojmë dhe duhet të mbrojmë me patjetër që kjo shoqëri të pastrohet njëherë e mirë nga kushdo që i mbron ata, bashkë me ata vetë brenda. Kur unë flas për këtë fenomen pa përmendur as emra, as lidhje, as celulari kujt i përket, asnjë lloj gjëje”, deklaroi eksperti i kriminalistikës.
Karamuço tregoi se kjo dorë e fshehtë e ka vënë në pozitë të vështirë edhe atë vetë, teksa qëllimi i tyre është të krijojnë imazhin e gënjeshtarit tek të tjerët.
“Kjo dorë e fshehtë meret dhe orkestron gjithçka duke më vënë në pozitë të vështirë edhe vetë mua, në video, në emra konkretë, personazhe të respektuar të ekranit, ju montojnë video dhe thonë ja ky është ai që nuk është më i besueshëm, që nuk është më ai që vërtetë hiqet, që gënjen, mashtron. Pra denigrojnë figura që flasin dhe përcjellin informacionet që vjen vetë nga tavolinat e këtyre që i flasin me emra.
Gjëja ime e ngritur prej kohësh është që nuk duhet absolutisht që të merremi me gjëra të vogla që zhvendosin këtë vëmendje, por duhet të merremi sa më shpejt duke bërë një presion të madh publik. Pse jo të kërkojmë shtimin e burimeve njerëzore në institucionet tona që çështja e “Sky”-it, ne jemi të fundit dhe aty ka një dorë të fshehtë që jemi të fundit në rajon, mendoj unë”, deklaroi ai.
Top Channel