Që nga 1 Tetori që është Dita Botërore e të Moshuarve, nisi në vendin tonë zbatimi i vendimit të Këshillit të Ministrave për Indeksimin e të gjitha kategorive të pensioneve në masën 8.6%.
Nga ky vendim përfitojnë rreth 770 mijë qytetarë të Republikës së Shqipërisë. Por çfarë thonë pensionistët për këtë indeksim të pensionit.
Pensionistët shprehen:
“Po aq sa m’u rrit mua, i bie baraz me 6 bukë. Kjo është tallje. Për vete pushtetarët i rrisin pagat, ndërsa neve na nëpërkëmbin. Të paktën një pensionist të marrë 400 mijë lekë të vjetra. Mua më martohet edhe mbesa. Do ishte mirë t’i hidhja 200 mijë lekë si gjyshja që jam. Më ka vajtur mendja për çikë mish viçi, se atë ka kohë që nuk e blej dot”.
“Pse rritje është kjo me 11 mijë lekë të vjetra. Nga 142 mijë, morë 153 mijë. Unë kisha ca borxhe, i shleva tani dhe më mbetën 50 mijë lekë të vjetra për të shtyrë muajin. Do marr borxhe prapë, ja çfarë do të bëj”.
“Mirë që kemi fëmijët jashtë që na ndihmojnë nga pak, se edhe ata sakrificë e kanë jetën. Edhe im shoq megjithëse në pension, punon në zanatin e tij, për të kompensuar pagën”.
“Të vuajtur në kohën e diktaturës, e të poshtëruar edhe tani. Pensionin si e marr, shkoj shlyej dritat, ujin. Më thërrime shtyjmë muajin, mirë që pastroj ndonjë shtëpi”.
Top Channel