Dy shkencëtarët që zbuluan teknologjinë mRNA për vaksinat kundër koronavirusit janë laureatët e Nobelit të sivjetshëm në Mjekësi.

Katalin Kariko dhe Drew Weissman do ta ndajnë çmimin e këtij viti. Përmes kësaj teknologjie, e cila kishte qenë eksperimentale para pandemisë, u krijuan  vaksina për miliona njerëz në botë. Tanimë, synimi është që ajo të përdoret edhe për sëmundje tjera, përfshirë kancerin.

“Laureatët kanë kontribuuar në nivel të pashembullt për zhvillim të vaksinës, në kohën e përballjes me një prej rreziqeve më të mëdha për shëndetin e njerëzve në kohët moderne”, ishte arsyetimi i bërë në mbështetje të vendimit.

Thomas Perlmann, sekretar i Asamblesë së Nobelit, njoftoi çmimin dhe tha se të dy shkencëtarët ishin “të befasuar”  kur ai i kontaktoi pak para shpalljes së fituesit. Vaksinat me një teknologji të tillë e trajnojnë sistemin imunitar në mënyrë që të njohë e të luftojë viruset apo bakteret. Teknologjia tradicionale për prodhimin e vaksinave është bazuar në viruse të ngordhura apo të dobësuara, por mRNA-ja solli një qasje krejt ndryshe.

Gjatë pandemisë, këtë risi e përdorën për vaksinat e tyre  kompanitë Moderna dhe Pfizer/BioNTech. Kariko dhe Weissman kanë punuar në Universitetin e Pensilvanisë në Shtetet e Bashkuara. Fituesit e çmimit Nobel për fizikën pritet të shpallen të martën, ndërsa ata për arritjet në fushën e kimisë të mërkurën. Fituesi i Nobelit për letërsinë do të shpallet të enjten, ai për paqen të premten dhe ai për ekonominë më 9 tetor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA