2 tetori hapi dyert e universitetit për nisjen e vitit të ri akademik për rreth 121 mijë student në të gjithë Shqipërinë, ku 75% prej tyre ndjekin procesin mësimor në universitetet publike, ndërsa 20 mijë studentë ulen për herë të parë në auditorë.
Por vihet re që një rënie e numrit të studentëve prej pakësimit të popullsisë.
“Ndryshimet demografike kanë prekur sistemin arsimor; por ndikon edhe tregu i punës. Profilet e teknologjisë kanë përparësi sot, por mendoj se është e nevojshme që të ketë interes edhe për sociologjinë, psikologjinë, filozofinë, degë të cilat merren me studimin e shoqërisë, largimin e popullsisë”, u shpreh Zyhdi Dervishi, sociolog.
Tirana është ende e para që ka numrin më të madh të studentëve, të cilët vijnë edhe nga rrethet duke boshatisur programe studimi rajonale; më të prekurat janë degët e mësuesisë, gjuhët e huaja por edhe shkencat sociale dhe shkencat e natyrës që nuk po kanë interesin e të rinjve. Edhe në universitetin e Tiranës që mbetet ndër të preferuarit, emigracioni dhe ndryshimet e kërkesës së tregut të punës kanë ulur numrin e studentëve në filozofi dhe kimi, që mbeten degët më të pa kërkuara në kryeqytet.
“Filozofia, dega e dijes ka mbetur me 4 studentë, është për të ardhur keq. Nuk ka investime për shkencën, ndaj ne si studentë nuk gjejmë frymëzim për të depërtuar në tregun e punës, e rrezikojmë të mbetemi të papunë”, janë shprehur studentët.
Bumin e studentëve po e përjeton universiteti politeknik në degët e teknologjisë dhe arkitekturës.
“Që në konkurrim kërkesa ishte më e lartë se kuotat, krahasuar edhe në vitet e shkuara. Nëse vjet kemi pasur 320 aplikime, këtë vit kishim më shumë se 400 por vendet ishin të kufizuara, për shembull në arkitekturë 80, inxhinieri 50 dhe design 25”, tha pedagogu Endri Tuzi.
“Unë kam zgjedhur informatikë sepse është degë që ia vlen në tregun e punës në Shqipëri dhe në botë, ka paga të larta, ndërsa në mësuesi për shembull nuk do e shihja të ardhmen e mirë”, u shprehën studentët e Politeknikut.
Edhe drejtësia dhe financa janë ende zgjedhjet tradicionale të studentëve në ciklin bachelor, por në vazhdimësinë e rrugëtimin arsimor në master, studentët drejtohen te degët digjitale, marketing e komunikim duke qenë një sinjal për nevojën e ristrukturimit të kuotave.
Top Channel