Dy persona janë arrestuar për falsifikim të dokumenteve, të cilët tentuan të largoheshin nga Shqipëria në Aeroportin e Rinasit.
Bëhet fjalë për një shtetas liberian S.k 32 vjeç, banues në Poloni dhe një shtetas kosovar B.M 34 vjeç.
Këta shtetas i kanë paraqitur punonjësve të Policisë Kufitare, dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, për të dalë nga Shqipëria. Pas verifikimeve nga punonjësit e Policisë Kufitare, me pajisjet dedektuese, ka rezultuar se këto dokumente ishin të falsifikuara.
Dokumentet false janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me dokumentet e identifikimit origjinale (pasaportë, ID) të shtetasit liberian, të cilat iu gjetën atij gjatë kontrollit fizik.
Materialet procedurale për këto raste i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.
Gjithashtu në Portin e Durrësit një kosovar tjetër rezident në Zvicër, është arrestuar pasi i siguroi një gruaje nga Kosova, një pasaportë false që të dilte ilegalisht nga vendi.
Shtetasja Z. B. 39 vjeçe u kap nga shërbimet e Policisë Kufitare, në dalje të vendit, në portin e Durrësit, gjatë tentativës për të dalë nga vendi, me një pasaportë të dyshuar të falsifikuar, me të cilën nga veprimet hetimore, rezultoi se e ka pajisur shtetasi i arrestuar U. B.
Top Channel