Apeli i Posaçëm i GJKKO-së ka lënë në fuqi dënimin për kunatin dhe shoferin e Rezart Taçit, Bledar Lilon e Artur Ballën, të cilët do të pastronin 18.2 mln euro të mafias Cosa Nostra.
Apeli i GJKKO-së la në fuqi dënimin me 11 vite për Artur Ballën, për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Për shkak të zhvillimit të procedurës së gjykimit të shkurtuar, ulet 1/3 e dënimit, si rrjedhim është kërkuar përfundimisht dënimi i Artur Ballës me 7 vite e 4 muaj burgim.
Edhe për Bledar Lilon u la në fuqi vendimi me 10 vite burgim dhe nga ulja 1/3 e dënimit,dënohet përfundimisht me 6 vite e 8 muaj burg.
Rezart Taçi, Artur Balla dhe Bledar Lilo, në bashkëpunim me shtetasit italian Francesco Zummo, Fabio Petruzzella, Daniele Cestagalli dhe disa persona të tjerë, në bashkëpunim me njëri tjetrin në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar një skeme komplekse financiare të kundraligjshme, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme që përbën produkt të veprimtarisë kriminale, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
Skema e pastrimit të parave drejtohej nga disa italianë, ku spikat emri i sipërmarrësit Francesco Zummo, i dyshuar dhe më parë për lidhje me organizatën mafioze italiane Cosa Nostra. Ata kanë dërguar në një bankë në Shqipëri afro 19 milionë euro, transferimi i mëtejshëm i të cilave dyshohet se do të kryhej nga Taçi dhe bashkëpunëtorët e tij, përmes kompanive të tyre. Mbi 18 milionë euro janë bllokuar dhe sekuestruar nga SPAK.
Top Channel