Dhjetëra degë mund të mbyllen në Shkodër, Elbasan, Durrës, Korçë, Vlorë e Gjirokastër pasi studentët nuk janë regjistruar.
895 studentë u ulen këtë të hënë në auditorët e universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër për të nisur vitin e ri akademik. Një shifer më e vogël se sa vitin e kaluar që reflektohet edhe tek regjistrimet në programet e studimit, pasi 10 prej tyre kanë nga 0 deri në 5 studentë. Rektorja Rajmonda Kçira thotë se universiteti po pret një udhëzim nga Ministria e Arsimit se si do të veprohet me këto degë, një pjesë e së cilave konsiderohen si prioritare.
Krahasuar me një vit më parë, edhe në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit ka një ulje të numrit të studentëve, ndërkohë që 15 programe studimi rrezikojnë mbylljen. Aktualisht këto degë nuk cilësohen si të mbyllura, sepse ligjërisht që një degë të cilësohet e mbyllur nuk duhet të ketë studentë në tre vitet e saj. Por këto programe studimi rrezikojnë të mos hapin vitet e tyre të para. Ndërkohë që degët më pak të pëlqyera, pra ato që nuk kanë studentë këtë vit janë Histori-Gjuhë Gjermane, Gjerografi-Gjuhë Gjermane, Fizikë Kompjuterike, Frengjisht, Italisht etj. Ndërkohë që vijojnë të kenë një numër të madh studentësh dhe të jenë të parapëlqyera degët e mjekësisë si infermieria, fizioterapia, apo juridiku dhe ekonomiku.
Viti i ri akademik në universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit ka nisur me degë dhe mundësi të reja për të rinjtë që gjithnjë e më shumë janë në kërkim të përshtatjes me zhvillimet e reja dhe nevojat e tregut të punës. Ndërkohë të rrezikuara për t’u mbyllur mbeten 3 programe studimi, por regjistrimet vazhdojnë.
Gjirokastër
Universiteti i Gjirokastrës u çel këtë vit me një numër prej 372 studentësh të regjistruar për këtë vit akademik pas raundit të dytë të regjistrimeve duke plotësuar më pak se gjysmën e 800 kuotave të çelura. Edhe këtë vit degët më të penalizuara vijojnë të mbeten ato të mësuesisë, për shkak të pragut të notës mesatare mbi 7,5. Në tërësi shifrat flasin për një rënie drastike të interesit për të studiuar në universitet, kështu krahasuar me 10 vite më parë kur “Eqrem Çabej” priti 3850 studentë këtë vit numri total i tyre është vetëm 1550.
Ka nisur viti i ri akademik edhe në Universitetin Ismail Qemali në Vlorë, ku pavarësisht mbarëvajtjes së procesit në aspektin profesional problemi më i madh dhe i vetëm është rënia e ndjeshme e numrit të studentëve në auditorë. Fakulteti i Shkencave Humane ka qenë një nga pikat më të rrezikuara për mbyllje të degëve.
Top Channel