Ka zgjatur vetëm pak javë arratia e një 43-vjeçari në kryeqytet për të cilin policia e Tiranës kishte siguruar prova se ishte pjesë e një rrjeti kriminal që shpërndante drogë në kryeqytet.

Emiljano Sinani, 43-vjeçari që u arrestua mbrëmjen e kaluar në rrugën Jordan Misja në kryeqytet ishte i 96-ti që ra në prangat e Policisë Tiranë, i dyshuar si shpërndarës i drogërave të ndryshme në kryeqytet.

Tregu i tij ishte kokaina të cilën e shiste me doza të vogla nga “Bulevardi i Ri” deri tek “shinat e trenit” në Laprakë. Kokainën ai e merrte me sasi në Shijak dhe pasi e shtonte me përzierës dhe e ndante në doza të vogla e shpërndante tek përdoruesit.

Më herët në kryeqytet në kuadër të operacionit “Tempulli” u vunë në pranga 95 persona të cilët shpërndanin drogëra të llojeve të ndryshme. Vetëm në kryeqytet u sekuestruan 10 kg lëndë kanabis, 3.7 kg kokainë, 150 doza heroine si dhe shuma të konsiderueshme parash të dyshuara se vinin nga ky aktivitet kriminal.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA