Partia majtiste e ish-kryeministrit, Roberto Fico, i ka fituar zgjedhjet parlamentare të së shtunës në Sllovaki, pas një fushate pro-ruse dhe mesazheve anti-amerikane, kur janë numëruar pothuajse të gjitha votat.
Ish-kryeministri anti-ukrainas Robert Fico fitoi zgjedhjet parlamentare në Sllovaki, duke e vënë veten në rrugën e duhur për të formuar një qeveri të re koalicioni, i cili mund të minojë përpjekjet perëndimore në ndihmën e zotuar për Ukrainën.
Pas një fushate të gjatë të shoqëruar me shumë përplasje, akuza dhe tensione mes palëve, Robert Fico dhe partia e tij SMER- Drejtimi Social Demokrat kryesoi me një votim pro tyre me 23 %, duke lënë pas rivalët e tjerë.
Zgjedhjet e parakohshme të Sllovakisë ngjallën frikën në Washington dhe Bruksel, pasi rikthimi i tij në pushtet mund të sjellë një tjetër zë anti-ukrainas në BE së bashku me kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban.
Fico ka kundërshtuar sanksionet kundër Rusisë dhe gjithashtu pretendon se mbështetja e udhëhequr nga NATO për Ukrainën minon sovranitetin kombëtar.
Pas këtij rikthimi në politikë, atij do t’i jepet mundësia e parë për të tentuar të formojë një koalicion qeverisës.
Politikani populist mbetet i përfshirë në disa raste korrupsioni dhe vitin e kaluar u përball me një përpjekjeje të kundërshtarëve për të hequr imunitetin e tij parlamentar.
Ai u detyrua të jepte dorëheqjen si kryeministër në vitin 2018 mes protestave masive në rrugë të shkaktuara nga vrasja e një gazetari që hetonte korrupsionin dhe të fejuarës së tij.
Vendin e dytë në zgjedhje e zuri Partia Sllovakia Progresive me 17 përqind të votave, ndërsa vendin e tretë e zuri Partia Hlas ose siç njihet ndryshe Zëri me 14.7 % të votave.
Top Channel