11 të arrestuarit gjatë operacionit policor “Never Forget” kanë mbërritur në gjykatën e Elbasanit, ndërsa rrugët janë blinduar nga policia.

Në pritje të zhvillimit të seancës për masën e sigurisë një territor i gjerë rreth e rrotull gjykatës së Elbasanit është bllokuar. Policia gjithashtu ka ushtruar kontrolle edhe në ambientet e brendshme të gjykatës përpara nisjes së seancës.

Prokurori Kreshnik Ajazi ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për të gjithë të arrestuarit, ndërsa seanca do të drejtohet nga gjyqtarja Megi Strakosha.

Kujtojmë se disa ditë më parë, në operacionin i cili zgjati rreth 12 orë policia mundi të shkatërrojë një grup vrasësish me pagesë të cilët në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe jashtë vendit kishin kryer krime dhe kishin mundur të mbeteshin anonim për policinë.

Në pranga gjatë megaoperacionit “Never Forget” ranë Artan Tafani, Erisiana Abedini, Lulzim Spahia, Ligor Romaçka, Bujar Abedini, Bledar Berberi, Mariglen Topuzi, Enriko Xhahysa, Klea Xhafa, Idriz Manaj, Fatjon Haxhiu, ndërsa në kërkim janë shpallur Lorenc Lala, Firdeus Berberi dhe Kristi Bizheku.

Arrestimi i 39-vjeçarit Artan Tafani për grabitjen e një exchange në Tiranë ishte pjesa e fundit që plotësoi puzzlen dhe hodhi dritë mbi të shkuarën e errët.

Pendimi i Artan Tafanit dhe bashkëpunimi me uniformat blu i mundësoi policisë zbardhjen e 18 ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura në harkun e viteve 2018- 2021. Mes tyre 6 vrasje, shkatërrim të pronës me eksploziv, sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjeve si edhe vjedhje dhe kërcënim të punonjësve të policisë.

Orkestrimi i këtyre ngjarjeve është kryer nga i shumëkërkuari i drejtësisë Leart Haxhiu i cili megjithëse në kërkim që prej vitit 2017 për vrasjen e Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit në Lushnjë ka mundur të kryejë dhjetëra krime në Shqipëri dhe Greqi. Haxhiu kishte rekrutuar 15 persona mes të cilëve dhe të dashurën e tij,  me të cilët kishte kryer 6 vrasje, 5 vënie tritoli, 3 vjedhje, sigurimin e kushteve për 3 vrasje të tjera dhe 1 kanosje.

Nga këta Policia e Shtetit arrestoi 11 persona si dhe shpalli në kërkim 4 të tjerë ndërsa vijojnë tentativat për ekstradimin e Laert Haxhiut i cili është arrestuar në Greqi në maj të këtij viti.

Falë këtij hetimi u zbardh vrasja e Alban Semakut në tetor të vitit 2021 në Peqin. Ish ushtari i Aldo Bares i cili kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu u gjet i pajetë buzë Shkumbinit. Policia zbuloi se pas kësaj vrasje fshihej Artan Tafani i cili veproi për llogari të Laert Haxhiut.

Tafani dhe Haxhiu së bashku me 4 persona të tjerë fshihen dhe pas vrasjes së biznesmenit  Çajup Selimi në qershor të vitit 2021 në Tepelenë, i cili u ekzekutua në derë të shtëpisë me pistoletë.  Ata nuk morën shumë kohë dhe të nesërmen e kësaj vrasje ekzekutuan të riut Fridman Xhaaferraj në Korçë duke i lidhur duart dhe hedhur në një rezervuar. Krimi u zbulua 10 ditë më vonë nga banorët e zonës.

Grupi i Haxhiut u kontraktua për vrasjen e Albi Bashaliut në dhjetor të vitit 2021 për gjakmarrje pasi vëllai 6 muaj më parë kishte vrarë me armë zjarri për një konflikt banal Ylber Xhahysën. Në këtë vrasje e cila ndodhi në Peqin u angazhuan 6 persona. Laert Haxhiu dyshohet si porositës edhe i dy vrasjeve të ndodhura në Greqi konkretisht Vrasja e Lulzim Qorri, e ndodhur në dhjetor 2018, në sheshi “Omonia” Athinë dhe vrasja e  Dikens Halilit, e ndodhur në tetor 2021, në lokalin e tij, në lagjen “Kriso”, Athinë.

Ndërkohë që shteti ishte në këmbë dhe kryente operacione të herëpashershme për arrestimin e Laert Haxhiut ky i fundit së bashku me Artan Tafanin në Lushnjë tentoi të vriste Kujtim Metën si dhe vendosi eksploziv në 3 banesa në Lushnjë si dhe në lokalin e Noizyt në Durrës i cili ishte në pronësi të të atit.

Po ashtu ky grup fshihej pas vjedhjes së 2 mjeteve luksoze në Tiranë dhe në Durrës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA