Dita e pestë e zjarrit në Pishporo dhe situata sa vjen dhe përkeqësohet, rrymat e forta të erës kanë aktivizuar të gjitha vatrat e zjarrit.
Forcat e ushtrisë dhe ato zjarrfikëse janë tërhequr pasi zjarri ka marrë përmasa shumë të mëdha, të cilat mund të rrezikojë dhe jetën.
Sipas prefekti të qarkut Fier Lefter Shehaj, deri tani janë djegur rreth 500 HA pyll me pisha në zonën e mbrojtur dhe tashme disa forca të ushtrisë dhe zjarrfikës janë vendosur afër fshatit për të patur në kontroll banesat dhe arat me të mbjella.
“Situata aktualisht kemi vatra zjarri në zonën pyjore të Pish Poros. Një situatë që ka rreth pesë ditë të cilën po e ndjekim dhe kemi aktivizuar mjetet zjarrëfikëse, trupa efektive dhe forcat e armatosura, punonjës të bashkisë Fier si dhe nga administrata e Zonave të Mbrojtura. Siç e shikoni bëhet fjalë për një vatër zjarri të ekzagjeruar në një sipërfaqe pyjore të dendur në një pyll të shkallëzuar që ka bimësi edhe nga poshtë si shkurre edhe bimësi të lartë e cila e ka bërë të pamundur në shumë momente, sidomos gjatë mesditës operimin qoftë me forca zjarrfikëse ashtu dhe me forcat e armatosura për shuarjen e zjarrit. Zjarri ishte në kurorë në lartësi 15-20 metra duke vështirësuar punën e strukturave që operojnë në terren.
Gjithmonë kemi operuar me forcat zjarrfikëse dhe trupat e forcave të armatosura në orët e para të ditës si dhe në pasditen vonë pasi gjatë mesditës është pothuajse e pamundur sepse temperaturat arrijnë deri në 1000 gradë dhe përpara se të vinte zjarri, vinte vala e të nxehtit, në fillim bëhej tharja e tyre e më pas djegia.
Banesat, banorët, njësitë, stanet kanë qenë prioriteti i punë sonë mbrojtëse, fokusi ka qenë për të siguruar të mos preken këto sipërfaqe. Gjatë gjithë kohës edhe natën kemi patur mjete zjarrfikës të vendosura në perimetrin që kufizon sipërfaqen pyjore me banesat apo sipërfaqet ekonomike. Edhe në vijim nuk do ketë rrezik”, u shpreh prefekti i qarkut Fier Lefter Shehaj.
Top Channel