Gjermania insiston që mburoja e NATO-s për Europnë të forcohet me sistemin e mbrojtjes ajrore Sky Shield.
Sulmi i Rusisë kundër Ukrainës riktheu luftën në kontinentin e vjetër, e po kështu ka ripërtërirë vëmendjen mbi aftësitë mbrojtëse të aleancës ushtarake. Por mburoja mbrojtëse e NATO-s për Europën ka të çara e sipas Berlinit zyrtar, ato mund të mbyllen nga sistemi i mbrojtjes ajrore, European Sky Shield Initiative, ESSI, i propozuar nga gjermanët tetorin e vitit që shkoi.
15 vende nënshkruan në atë kohë një deklaratë të përbashkët në kuadër të takimit të NATO-s në Bruksel, për të krijuar një mbrojtje europiane nga ajri. Krah Gjermanisë, nënshkruan Belgjika, Bullgaria, Estonia, Finlanda, Britania e Madhe, Letonia, Lituania, Holanda, Norvegjia, Rumania, si dhe Sllovakia, Sllovenia, Çekia dhe Hungaria. Më vonë nismës iu bashkuan edhe Danimarka, Suedia, Austria dhe Zvicra. Tani, po insistohet në implementimin e saj.
Synimi i Sky Shield është të krijojë sisteme mbrojtëse sa më të koordinuara, me rreze të shkurtër, të mesme dhe të gjatë për të shmangur çdo lloj rreziku që mund të vijë nga ajri. Vendet që marrin pjesë në nismën European Sky Shield duan të krijojë së bashku sistemet e duhura të mbrojtjes, në mënyrë qe të mbulojnë sa më shumë territor me kosto sa më të ulët, që do të thotë praktikisht krijim i një kupole e padukshme për një hapësirë sa më të madhe.
Top Channel