Manjani i përgjigjet shqetësimit të “Pro-Eksport Albania”: Do të punësohen 9 mijë persona me aftësi të kufizuar! Përfitime për punëdhënësit

29/09/2023 13:29

Shoqata “Pro-Eksport Albania”, ngriti një shqetësim drejtuar ministrisë të Ekonomisë dhe Financave, ku shprehet pamundësia e zbatimit të ligjit Nr. 15/2019  për nxitjen e punësimit – Punësimi i personave nga grupet e veçanta, detyrim për Punëdhënësit Publik dhe Privat.

Në përgjigje të këtij shqetësimi, zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë Olta Manjani priti në një takim përfaqësues të shoqatës  në lidhje me integrimin e personave me aftësi të kufizuara.

Manjani tha se në total 9,000 persona me aftësi të kufizuara që pritet të punësohen, si në sektorin shtetëror dhe në atë privat.

“Ka praktika të ndryshme ndërkombëtare që kanë rezultuar efektive për punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuar (PAK) dhe ato kanë sjellë qëndrueshmëri. Në vendin tonë, detyrimi i punësimit nga subjektet private apo publike ka lindur që me ligjin e vitit 1995 ‘Për nxitjen e punësimit’, ku përcaktohej kriteri 1 në 25 punonjës. Sot, përmes ndryshimeve ligjore, të cilat  bëhen efektive në 1 janar 2024, kriteri është 1 në 25 punonjësit e parë dhe 1 PAK pas çdo 50 të punësuarve. Në total janë 9,000 persona me aftësi të kufizuara që pritet të punësohen, si në sektorin shtetëror dhe në atë privat”, tha Manjani.

Gjithashtu në ndihmë të këtij vendimi, thuhet në njoftim, si nismë që ka marrë MFE është edhe krijimi i Fondit Social të Punësimit që parashikon përfitime dhe subvencione për punëdhënësit dhe kontributi i dhënë do t’iu kthehet nëpërmjet programeve, që të kenë mundësi të plotësojnë këto kuota.

Programet synojnë punësimin, vetëpunësimin, rehabilitimin për punë, aftësimin dhe riaftësimin profesional, orientimin dhe këshillimin për punësim, shërbime mbështetëse, rikonstruksion dhe përshtatje të vendit të punës të personave me aftësi të kufizuar, programe riintegrimi social, etj.

Përfaqësuesit e shoqatës “Pro-Eksport Albania” vlerësuan masat e marra deri tani nga qeveria shqiptare, për të reduktuar efektet e luhatjeve të kursit të këmbimit, si shtyrja në kohë e pagesave të kësteve të tatimit mbi fitimin për pjesën e mbetur të vitit 2023, rimbursimi më i shpejtë i TVSH-së apo subvencionimi i pagës minimale.

Në përfundim të takimit, palët ranë dakord që të intensifikojnë bashkëpunimin, të adresojnë nevojat përmes tryezave teknike, si dhe të vihen në zbatim mekanizmat e Fondit Social të Punësimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA