Është gjetur i vdekur piloti i helikopterit që u rrëzua në det në plazhin Achladiou mëngjesin e djeshëm në Evia.
Trupi i tij u gjet 52 metra thellësi, brenda helikopterit.
Sipas informacioneve, rojet bregdetare e kanë nxjerrë nga deti mëngjesin e sotëm. Përveç mjeteve lundruese të rojes bregdetare dhe mjeteve lundruese private, në hetim ka marrë pjesë edhe një ekip i Njësisë së Misioneve Nënujore të Rojes Bregdetare.
Helikopteri me një pasagjer në bord, u rrëzua pak para orës 11:00 të ditës së djeshme. Nga informacionet e para u zbulua se mjeti ajror civil, i tipit A-109, po udhëtonte nga Mantoudi për në Volos kur papritur humbi kontaktet me Forcat Ajrore. Helikopteri u ngrit nga Afidnes, do të bënte një ndalesë të ndërmjetme në Mantoudi dhe do të përfundonte në Volos.
Mirëpo, sipas një dëshmitari okular, helikopteri teksa ishte në ajër ka nisur të marrë një anim të çuditshëm, dhe pak minuta më vonë është dëgjuar një goditje e fortë.
“Ai u fundos brenda 1.5 minutash”- tha Presidenti Achladiou për protothema.gr, duke shtuar se: “Diçka ndodhi në ajër, duke bërë që ai të bjerë në det. Mjeti ajror ra 300 metra larg bregut dhe u fundos brenda 1.5 minutash. Ne vrapuam shpejt në plazh për të parë nëse mund të gjenim ndonjë provë, por asgjë nuk u gjet. Ka humbur në det por nuk mund ta lokalizojmë sepse uji ka ndryshuar ngjyrë. I kemi njoftuar të gjithë.”
Top Channel