Tuma Ilire e Kamenicës siti arkeologjik dhe i vetmi monument natyror me vendvarrime prehistorike në Ballkan, përballet ende me mungesën e vizitorëve.

Ky monument përfaqësues i prehistorisë shqiptare ku janë evidentuar 400 varre, mbetje skeletorë të 430 individëve dhe më shumë se 3500 objekte vit pas viti ka humbur vëmendjen ndaj kanë nisur përpjekjet për ta gjallëruar dhe promovuar si një destinacion të rëndësishëm për turizmin.

Sipas arkeologut Lorenc Cenolli siti është mjaft interesant për vizitorët, të cilët mund të mësojnë rreth jetesës dhe ritualeve në shekullin e 12 para erës sonë ndaj është ndërmarrë iniciativa që së bashku me disa nxënës të bëhen edhe demonstrime arkeologjike, por edhe në qeramikë e kulinari.

Një grup turistësh suedeze të cilët vizituan sitin pohuan se ishte një eksperiencë mbresëlënëse.

“Vij nga Suedia, kam dashur të vij në Shqipëri për afro 20 vite por këtë vit u bë e mundur. Jam kënaqur, njerëz mikpritës, ushqim shumë i mirë dhe ky vendi sot është mrekulli. Të shohësh gjithë monumentet e kulturës këtu dhe gjetjet ndodh jo çdo ditë”, tha një turiste.

“Është hera e parë në Shqipëri për ne. U kënaqa duke parë sesi fëmijët bënin lakror dhe merreshin me poceri. Gjithë muzeu është i veçantë dhe eksperienca është fantastike”, tha një turist.

“Përshtypjet fantastike. Ne Suedi nuk kemi mundësi të shohim të tilla objekte dhe është interesante ecja nëpër muze. Uroj të vij përsëri” , tha një tjetër turist.

Tuma e Kamenicës është ndër monumentet historike më përfaqësues të prehistorisë shqiptare por edhe asaj ballkanase.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA