Sulm në një shkollë në Spanjë, 14-vjeçari godet me thikë tre mësues dhe dy nxënës

28/09/2023 10:34

Tre mësues dhe dy studentë janë goditur me thikë nga një nxënës 14-vjeçar, pasi filloi mësimi në një shkollë në Spanjë.

Adoleshenti, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, dyshohet se goditi me thikë pesë persona në mënyrë të përsëritur, kur filloi mësimi rreth orës 8:25 të mëngjesit të sotëm, në Institutin Elena García Armada në qytetin Jerez de la Frontera, në Spanjën jugore.

14-vjeçari, që thuhet se vuante nga autizmi, kishte hyrë në klasë mëngjesin e sotëm dhe pasi nxori një thikë të madhe nga çanta e shpinës, filloi të godiste me thikë të gjithë ata që kalonin pranë tij, sipas burimeve policore. Ai dyshohet se theri me thikë shokët e tij të klasës dhe u përpoq t’i merrte peng para se mësuesit të përpiqeshin ta frenonin. Më pas ai goditi me thikë tre mësues, ku njëri prej tyre u plagos në sy.

Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje, ku kapi nxënësin 14-vjeçar dhe e arrestoi, ndërsa shkolla e mesme u evakuua dhe mjekët mjekuan të plagosurit. Mësuesi që u godit me thikë në sy u dërgua me urgjencë në spital dhe është në gjendje të rëndë, raporton ABC de Andalucia. Nuk dihet ende gjendja e dy mësuesve dhe dy nxënësve të tjerë.

Prindërit në panik, pasi dëgjuan lajmin për sulmin me thikë, nxituan drejt shkollës ku kishin lënë fëmijët e tyre vetëm disa minuta më parë. Ata u panë duke qëndruar pranë portave të shkollës, duke pritur dhe duke shpresuar që fëmijët e tyre të dilnin të padëmtuar. I dyshuari aktualisht po merret në pyetje nga policia në stacionin policor në Jerez.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA