Stoltenberg: Forcat ukrainase po fitojnë gradualisht terren

28/09/2023 20:18

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha të enjten në Kiev gjatë një vizite të paralajmëruar, se forcat ukrainase po “fitojnë gradualisht terren” përballë luftimesh të ashpra.

Ai shtoi se po u kërkon në mënyrë të vazhdueshme vendeve aleate të ofrojnë më shumë ndihmë, të rrisin prodhimin në fushën e mbrojtjes, si dhe të përshpejtojnë dërgesat në armë për Ukrainën.

Sa më e fortë të bëhet Ukraina, aq më shumë i afrohemi fundit të agresionit rus”, u tha zoti Stoltenberg gazetarëve në Kiev.

Duke folur krah Presidentit Volodymyr Zelenskyy, zoti Stoltenberg tha se NATO ka rënë dakord paraparakisht për rreth 2.5 miliardë dollarë municione thelbësore për Ukrainën.

Ai shtoi se është në interesin e sigurisë së aleancës që t’i garantojë Ukrainës atë që i nevojitet për të fituar luftën.

Ndërkohë ushtria e Ukrainës njoftoi të enjten se falë sistemeve të saj të mbrotjes ajrore kishte rrëzuar 34 nga 44 dronë Shahed, që Rusia i kishte përdorur për të sulmuar vendin, gjatë natës.

Sulmet kishin në shënjestë qytetet e Mikolaivit, Odesës dhe Kirovohradit.

Guvernatori rajonal i Odesës Oleh Kiper shkruante në rrjetin social ‘Telegram’ se sulmet nuk kishin shkaktuar viktima. Po kështu sipas tij nuk kishte dëme materiale, vetëm disa zjarre përveç djegies së barit të në disa zona të vogla ku kishin rënë mbetjet e dronëve.

Në fjalimin e tij të përnatshëm të së mërkurës zoti Zelenskyy tha se luftëtarët e vendit të tij “kanë nevojë për më shumë mjete për të shkatërruar raketat ruse, dronët (iranianë) Shahed apo dronë të tjerë luftarakë, si dhe avionët rusë”.

Zoti Zelenskyy shprehu mirënjohje për të gjithë ato vende që po ndihmojnë e janë të gatshëm të rrisin ndihmën për vendin e tij me qëllimin për të garantuar sikurse tha më shumë mbrojtje kundër terrorit rus./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA