SHBA kërkon nga Mali i Zi ekstradimin e themeluesit të kriptomonedhës Terra

28/09/2023 22:48

Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë, i njohur si SEC, ka kërkuar nga autoritetet e Malit të Zi ekstradimin e të pandehurin Hyeong Do Kwon, shtetasit korean të akuzuar nga Shtetet e Bashkuara për mashtrim me kriptomonedha.

I akuzuari Do Kwon dyshohet se ka shkaktuar më shumë se 40 miliardë dollarë humbje si pasojë e përmbysjes së kompanisë që themeloi kriptomonedhën Terra.

Ai u arrestua nga policia malazeze në aeroportin e Podgoricës derisa po udhëtonte për Dubai me pasaportë të falsifikuar. Ndaj tij kishte një urdhër-arrest ndërkombëtar.

Sipas Ministrisë malazeze të Drejtësisë, Komisioni amerikan po ashtu ka kërkuar nga zyrtarët malazezë që deri më 13 tetor të marrin në pyetje të akuzuarin Do Kwon për të përmbushur procedurat civile në Shtetet e Bashkuara.

Komisioni amerikan i Letrave me Vlerë ka ngritur padi ndaj Do Kwon në gjykatën e Nju Jorkut.

Arrestimi i Do Kwon tërhoqi vëmendjen e publikut botëror, pasi ai është një nga personat më të kërkuar që akuzohet për një mashtrim përmes kriptomonedhave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA