Qiellgërvishtësi misterioz pa dritare ngrihet mbi New York prej 50 vitesh dhe askush nuk e di ç’ka brenda  (fotot)

28/09/2023 16:22

Sipas shprehjes së vjetër që thotë se “sekreti është më i fshehtë kur mbahet para syve të të gjithëve”, edhe kjo ndërtesë e frikshme pa dritare në qendër të New York duket se është mënyra më e mirë për ‘të fshehur’ një qiellgërvishtës në mes të qytetit.

Kjo strukturë 170 metra e lartë në adresën 33 Thomas Street në Manhattan është nga më të përfolurat dhe burim i disa prej teorive më të frikshme për ato që mund të ndodhin brenda saj.

Kulla e stilit ‘brutalist’ përflitet se është një “strofkull vampirësh” ose ndryshe një bazë sekrete e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë dhe e ndërtuar kështu për t’i rezistuar shpërthimeve më të fuqishme.

Struktura besohet se ka energjinë dhe furnizimin e vet me ujë, si dhe furnizime të mjaftueshme për të mbrojtur ata që gjenden brenda për të paktën dy javë në rast sulmi apo katastrofe.

Aktori Tom Hanks ka komentuar dikur për këtë ‘monstruozitet’ prej graniti: “Kjo është ndërtesa më e frikshme që kam parë ndonjëherë! Çfarë dreqin ndodh aty brenda??”

Dhe prej atëherë sugjerohej se ishte një qendër e inteligjencës NSA, bazuar dhe në publikimin e dokumenteve të Edward Snowden në rrjetin Wikileaks.

Aty thuhej se ndërtesa e quajtur ‘Titanpointe’, merrej me kontrollin e telefonatave, mesazheve fax dhe të dhënave të internetit.

Programet e saj besohet se ishin përgjimi i komunikimeve që hynin e dilnin nga ndërtesa e OKB, e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore – teksa sipas publikimeve NSA ka përgjuar komunikimet e rreth 40 shteteve.

Dokumentet e publikuara nga Snowden e lidhin atë dhe me programin Blarney, i krijuar në vitet 1970-të për shkatërrimin e të dhënave të komunikimeve.

E krijuar nga arkitektët John Carl Warnecke & Associates, ndërtesa supozohej të kthehej në një qendër nevralgjike që ngjante me një fortesë të shekullit të 20-të, në të cilën majat e shigjetat të zëvendësohen nga protonet e neuronet që kontrollojnë qetësisht makinerinë e frikshme brenda saj, shkruan rrjeti Atlas Of All Places.

Disa dokumente sekrete të vitit 2012 tregojnë se në ndërtesën e sigurisë së lartë ka pajisje të kontrolluara nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë ‘NSA’ dhe partnerët e saj.

Në to thuhej: “Ne vetëm i përgjigjemi kërkesës së qeverisë për informacion sipas urdhrave të gjykatës, dhe në raste të rralla veprojmë kur jeta e një personi është në rrezik, si për shembull në situata pengmarrjeje”.

Por aktivitetet e saj vijojnë të mbeten zyrtarisht mister duke u lejuar të vijojnë nën hundën e nju-jorkezëve, në një kohë kur aktivistët e të drejtave thonë se NSA janë më shumë spiunë ordinerë, sesa operativë anti-terrori, komenton rrjetiTheSun.

Politikani danez Mogens Lykketoft, ish-kreu i asemblesë së OKB ka thënë: “Aktivitete të tilla spiunazhi janë të papranueshme dhe shkelje e besimit në bashkëpunimin ndërkombëtar”.

FOTO GALERI
1/3
Kulla e stilit ‘brutalist’ përflitet se është një “strofkull vampirësh” ose ndryshe një bazë sekrete e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA