Forcimi i Lekut po rrit edhe fitimet e investitorëve të huaj në Shqipëri.

Të ardhurat e investitorëve të huaj për 6-mujorin e parë të vitit 2023 arritën vlerën e 461 milionë eurove, në rritje me 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë.

Kjo shumë përfaqëson fitimet e shpërndara ose të riinvestuara të investitorëve të huaj në Shqipëri dhe këtë vit ka shënuar nivelin më të lartë historik.

Rritja e fitimeve të investitorëve të huaj në vitet e fundit mund të lidhet me rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë pas pandemisë, që ka sjellë efekte pozitive edhe për ndërmarrjet e huaja që veprojnë në Shqipëri. Një pjesë e mirë e rritjes mund t’i atribuohet forcimit të lekut në kursin e këmbimit me Euron. Në mesin e këtij viti, kursi i këmbimit Euro-Lek ishte në rënie vjetore me 10.7%.

Mes aktorëve që kanë përfituar nga rënia e Euros në kursin e këmbimit, janë edhe investitorët e huaj.

Ndërmarrjet e huaja në përgjithësi i sigurojnë të ardhurat e tyre në Lekë, ndërsa fitimet për aksionerët i shpërndajnë në valutë të huaj. Forcimi i Lekut ka bërë që e njëjta sasi e monedhës vendase të përkthehet në një vlerë më të lartë në valutë të huaj, kryesisht në Euro.

Duke qenë se një pjesë e mirë e fitimeve nuk shpërndahen, por riinvestohen, forcimi i Lekut, në mënyrë të tërthortë, ka ndikuar edhe në rritjen e investimeve të huaja në vitet e fundit.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA