Grupe zhytësish kërkonin sot në disa liqene të vogla pranë Strasbourg në lindje të Francës për një vajzë 15-vjeçare franceze të quajtur Lina, e cila është zhdukur pa asnjë gjurmë prej të shtunës.
Ngjarja e rëndë ka trazuar komunitetin ndërsa hetuesit thonë se “nuk mund të përjashtohet asnjë mundësi” duke bërë të ditur se mund të pritet dhe më e keqja.
E reja kishte dalë mbrëmjen e të shtunës drejt stacionit të Saint-Blaise-la-Roche në qytezën rurale pranë maleve Vosges dhe prej saj nuk dihet më asgjë.
Efektivë dhe grupe të specializuara erdhën në vendngjarje sot, mes të cilave dhe një furgon i policisë së Gjermanisë fqinje.
Zhytësat kërkonin dëshpërimisht në dy liqenet e vogla, në rrugën që besohet se Lina po bënte në këmbë natën e zhdukjes, nga shtëpia e saj drejt stacionit të trenit.
Vajza besohet se kryente këtë itinerar gati çdo ditë për të shkuar te supermarketi i qytezës Saint-Blaise-la-Roche.
Nën sytë e të afërmve të shtangur të vajzës dhe gazetarëve të shumta, zhytësit eksploronin zonën me imtësi, edhe pse sipas raportimeve në kohën e dyshuar të ngjarjes dy peshkatarë kishin qenë aty dhe nuk kishin parë vajzën e zhdukur.
Prokurori i Saverne tha për mediat se një grup psikologik emergjence ishte ngritur për të dhënë “mbështetjen e nevojshme për rezidentët” për zhdukjen e anëtares së komunitetit të tyre që kishte ardhur për studime në qytezë.
Teksa autoritetet dhe komuniteti shpresojnë për gjetjen e saj, ngjarja duket se i shtohet zhdukjeve tragjike të fëmijëve nëpër botë që bien pre e predatorëve të trafikut dhe abuzimeve më të rënda.
Adoleshentja që është fëmijë i vetëm, kishte nisur këtë vit një program shkollor të trajnimit në Saint-Blaise-la-Roche. Ajo jetonte me nënën e cila është ndarë nga i ati i vajzës.
Top Channel