Kremtimi u kthye në mort ne veri te Irakut, ku të paktën 100 vetë vdiqën e 150 të tjerë u lënduan nga shpërthimi i një zjarri në një dasmë në të cilin po festonin qindra vetë.
Ende nuk dihet shkaku i flakëve, por raportimet e para tregojnë se me shumë gjasë, atom und të kenë ardhur si pasojë e ndezjes së fishekzjarrëve. Numrin e viktimave nga ngjarja e rëndë në Al-Hamdaniya e konfirmoi edhe zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë së Irakut, Saif al-Badr, i cili sqaroi se shumica e të lënduarve po trajtohen për djegie apo për mungesë të oksigjenit. Dëshmitarë okularë rrëfyen se gjithçka ndodhi brenda një kohe shumë të shkurtër, dhe njerëzit nuk patën mundësi të reagonin.
“Holli u dogj për tre sekonda. Vdiqën mbi 100 vetë. Dhe nëse dikush fajëson qeverinë për këtë, u them se sepse faji është vetëm i organizatorëve dhe atyre që menaxhojnë godinën këtu”, tha një i mbijetuar duke qarë.
Të tjerë të mbijetuar rrëfyen se teksa dhëndëri dhe nusja po kërcenin, fishekzjarrët prekën tavanin dhe salla mori flakë. “Ne nuk mund të shihnim asgjë. Na zihej fryma dhe nuk dinim si të dilnim jashtë sallës”, shprehen ata.
Autoritetet vendase pohuan më vonë se panelet e parafabrikuara brenda sallës ku u mbajt dasma ishin “lehtësisht të djegshme dhe nuk i përmbushnin standardet e sigurisë”. Ato përmbanin plastikë dhe pas djegies, lëshuan edhe gaze toksike. “Disa pjesë të tavanit ranë si pasojë e zjarrit, për shkak të materialit të lirë dhe tejet të djegshëm”, thuhet në deklaratë.
Top Channel