Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç, tha se pas sulmit në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, pozicioni i Serbisë në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën është “më i komplikuar”.

“Një numër jo i vogël i përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare filloi të dielën me narrativën se në Serbi ka terroristë, se Serbia është sponsorizuese e terrorizmit, se duhet të sanksionohet, të dënohet”, tha Vuçeviç për Radio Televizionin e Serbisë.

Ai përsëriti qëndrimin zyrtar të Beogradit se Serbia nuk ka asnjë lidhje me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë dhe tha se ajo që ka ndodhur saktësisht, “nuk është përcaktuar ende”.

“Shoh se shumë njerëz në Serbi po nxjerrin përfundime të shpejta se si dhe çfarë ka ndodhur të dielën në Banjskë”, tha Vuçeviç, duke shtuar se që nga viti 1999, “Serbia nuk ka pasur autoritet de fakto” në Kosovë.

“Kjo e bën shumë më të vështirë për ne dhe për autoritetet tona që t’i mbledhin të gjitha faktet”, tha ministri serb i Mbrojtjes.

Policia e Kosovës tha të martën se ka përfunduar bastisjet nëpër shtëpitë dhe objektet në dhe përreth fshatit Banjskë të Zveçanit, ku, më 24 shtator, një grup i personave të maskuar dhe të armatosur sulmoi policinë kosovare.

Një polic i Kosovës mbeti i vrarë dhe disa u plagosën. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, policia e Kosovës vrau tre sulmues të nacionalitetit serb. Tetë sulmues u arrestuan dhe u akuzuan për: terrorizëm, veprim kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Në zonën përreth Banjskës, policia e Kosovës gjeti më pas edhe arsenal të madh armësh të kalibrave të ndryshëm.

Një ditë më parë, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, publikoi një video, ku tha se në mesin e personave të armatosur, që u përleshën me policinë e Kosovës, ishte edhe nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojçiç.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA