Pamjet në videon e mëposhtme i përkasin një prej fushatave të shumta, të quajtur vite më parë operacionet “fshesa”.

Sa herë që mes Greqisë dhe Shqipërisë kishte mosmarrëveshje politike, policia helene mblidhte emigrantë shqiptarë dhe i riatdhesonte.

Ato zhvillime, kanë mbetur si kujtesë e fortë e emigrantëve që vuanin sa herë që ngriheshin çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve. Nga çështja çame, te kufijtë detarë, eshtrat e ushtarëve grekë, minoriteti etj., Inside Story, ka udhëtuar drejt Athinës për të parë nga afër se si zhvillimet politike kanë ndikuar jetën e tyre atje.

“Ka patur shumë ndikim te ne sa herë që kishte përplasje politike. Kur Shqipëria njohu për herë të parë Maqedoninë e Veriut policia u agresua shumë. Nuk shkonim dot në furrë të bukës”, u shpreh emigranti, Shefik Hysa.

“Është një histori e dhimbshme që operacionet fshesa shpesh bëheshin në mënyrë të qëllimshme që kur t’i punoje te një bujk dhe të kthenin në Shqipëri ishte shumë e vështirë pastaj që ti të provoje se sa lekë të detyroheshin”, u shpreh emigranti, Etmond Hysa.

Janë mjaft interesante dëshmitë e emigrantëve shqiptarë atje për situatën përgjatë viteve të fundit. Edhe pse ata mund të kenë mbi 3 dekada dhe janë integruar, vitet e fundit është parë riaktivizimi i politikave të dyshuara hakmarrëse që lidhen me mosmarrëveshjet e fundit.

Top Channel