Inside Story/ Denoncimi i gazetarit: Në shtetin helen janë denoncuar shqiptarë pa përkthyes e avokat

27/09/2023 22:04

Emigrantët shqiptarë ankohen se nuk ju mbrohen të drejtat e tyre, por këto anashkalohen nga politika atje.

Sot Athina zyrtare akuzon Shqipërinë se po i cënon Fredi Belerit të drejtën e prezumimit të pafajësisë, por në Greqi janë lejuar procese me shkelje të rënda ligjore ndaj shqiptarëve.

Në një rast, një shtetas shqiptar i quajtur Afrim Rexha, u mbajt plot 11 muaj në qeli edhe pse e kishte kryer dënimin. Ai u lirua vetëm pasi rasti i tij u bë publik.
Babai i një fëmije të mitur nuk përfitoi asnjë dëmshpërblim për burgun e padrejtë.

‘Për të drejtat e njeriut këtu kemi shqiptarë që dënohen pa përkthyes, pa avokat madje dhe pa qënë vetë prezent” u shpreh gazetari, Shpëtim Zinxhiria.

Pas mashtrimit që vetë institucionet greke kanë bërë me sigurimet shoqërore duke “vjelë” shumë të ardhura nga emigrantët, në vitin 2003 u zbula një tjetër skandal që lidhet me mashtrimin.

Të ndaluarit shqiptarë dënoheshin nga gjykata e Selanikut duke ju mohuar e drejta e përkthimit.

Kjo pasi përkthyesja zyrtare e gjykatës për gjuhën shqipe Niki Vavakula nuk dinte shqip. Kështu me dhjetëra emigrantë u dënuan në mënyrë të jashtëligjshme, duke ju mohuar e drejta e mbrojtjes.

E njëjta situatë vazhdon edhe sot kur shqiptarët ju drejtohen zyrave të ndryshme të avokatëve për tu pajisur me dokumente. Shumë prej tyre premtojnë se do ti bëjnë me dokumenta të rregullta, kur në fakt është e pamundur pasi emigrantët nuk kanë hyrë në mënyrë të rregullt në Greqi.

Top Channel