Arrestimi i Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës është kapitulli i fundit i një historie që përsëritet në raportet mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Fqinji ynë nuk ka nguruar edhe këtë here, që një çështje të brendshme të Shqipërisë, ta shndërrojë në kauzë për të drejtat politike të minoritetit. Akoma më tepër, ta ngrejë deri në nivelet e larta të Bashkimit Evropian, aty ku Shqipëria synon të integrohet.
“Greqia ka investuar te figura e Fredi Belerit pavarësisht drit-hijeve të tij është një figurë që njihet në Greqi si simbol i asaj që shihet mbrojta e helenizmit në Himarë”, u shpreh gazetari, Artur Bibe.
Një emër me të shkuar të dyshimtë, akuzuar e dënuar për përdhosjen e simboleve shqiptare, akoma më keq, i hetuar si i përfshirë në Masakrën e Peshkopisë. Një i zgjedhur vendor që dyshohet dhe hetohet për blerjen e votave, për të cilin Greqia lobon dhe miraton me 290 vota në Parlamentin Evropian një rezolutë.
Një akt politik që çuditërisht kërkon të dilet mbi vendimet e gjykatave duke kërkuar lirimin e një personi të arrestuar si i dyshuar për krim elektoral.
“Nënvizohet se kjo çështje lidhet me respektimin e përgjithshëm të të drejtave themelore, çështjen e pazgjidhur të pronave të pjesëtarëve të pakicës etnike greke në zonën e bashkisë dhe akuzat për cenim nga shteti në arsyetimin e vendimit për miratimin e ndryshimeve”, shton gazetari.
Ai votim u kompromentua kur u zbulua se nismëtar, as më shumë e as më pak, ishte një politikan grek i quajtur Thanasis Bakolas, dikur, këshilltar i kryeministrit grek Kiriakos Micotaqis.
Nuk duhet të harrojmë, se mbajtja prapa hekurave e Fredi Belerit, është një vendim unanim i të gjitha shkallëve të gjyqësorit bazuar në provat e mbledhura. Në zgjedhjet e Majit të vitit 2023, në Greqi u arrestuan 5 persona për blerje votash që u mbajtën prapa hekurave. Politika e shtetit fqinj, në atë rast nuk u shqetësua për parimin e prezumimit të pafajësisë, duke nxjerrë standartin e dyfishtë me rastin Beleri.
Top Channel