Kjo është panorama e orëve të caktuara në kryeqytet.
Makina të cilat mbeten në trafik për minuta të tëra sepse diku një makinë apo një furgon ka parkuar dysh. Për të parandaluar këtë fenomen Policia Rrugore ka ndëshkuar vazhdimisht shkelësit. Vetëm në një ditë Komisariati Rrugor Tiranë ndëshkoi me gjobë rreth 2000 drejtues mjetesh të cilët kishin parkuar gabim.
Sipas një studimi të kryer nga policia rrugore rezulton se 40% e trafikut krijohet artificialisht nga parkimet e gabuara. Policia e ka ndëshkuar këtë shkelje me masë administrative deri në 3 mijë lekë por ajo sërish është përsëritur, prandaj është hartuar një plan masash që ndëshkimi të ashpërsohet me përdorimin e karrotrecit dhe bllokueseve.
“Policia Rrugore Tiranë ka disa ditë që po inpenjohet maksimalisht për ndëshkimin e parkimeve të gabuara që janë bërë një fenomen shqetësues në lëvizjen normale të mjeteve kryesisht në oraret kur lëvizin për në shkolla apo punë. Për të minimizuar fenomenin e parkimeve të gabuara Policia Rrugore dhe ajo bashkiake po operojnë me karrotrec dhe bllokues në shumë segmente ku bëhen pengesë për qarkullimin e mjeteve. Po insistohet tek mjetet që parkojnë në stacion autobusi, afër shkollave në korsitë e emergjencës dhe në vizat e bardha”, tha Festim Kamberi, specialist i policisë rrugore Tiranë.
Sipas planit të ri të masave të hartuar Ministria e Brendshme mjetet të cilat janë parkuar gabim në zonat ku ka sinjalistikë që ndalon qëndrimin e mjetit apo në zonat kur krijojnë bllokim të lëvizjeve normale të tyre, makinat do të hiqen nga rruga me karrotrec dhe drejtuesi i mjetit përveç gjobës për parkim të gabuar do të paguajë dhe karrotrecin.
“Targa e mjetit i jepet sallës dhe menjëherë bëhet njoftimi i qytetarit që mjeti i tij u morr nga policia. Ai duhet të paguajë masën administrative që varion nga 1 mijë deri në 3 mijë lekë si edhe 6 mijë lekë karrotrecin dhe mund ta tërheqë mjetin tek Policia Rrugore ose ajo bashkiake, tha Kamberi.
Në ndihmë të Policisë Rrugore ka ardhur edhe ajo bashkiake që për mjetet e parkuara gabim vendos bllokues në gomë, i cili hiqet vetëm nëse qytetari paguan gjobën e marrë.
Top Channel