Shifrat janë të gjitha në favor të Interit, që ka marrë 15 pikë të plota në 5 ndeshjet e para të kampionatit, ka shënuar 14 gola dhe është shndërruar në një bunker, duke pësuar vetëm një gol.
Megjithatë Simone Inzaghi nuk është fort i kënaqur kur vjen puna te shifrat dhe pret më shumë, sidomos në fazën finalizuese.
“Kemi një grup konkurrues, me lojtarë cilësorë dhe krijojmë vërtetë shumë, jo vetëm me sulmuesit, por edhe me futbollistë të reparteve të tjera. Megjithatë ashtu si në sezonet e tjera, finalizojmë shumë pak, krahasuar me atë që krijojmë. Duhet të jemi më agresivë në zonën kundërshtare dhe të shënojmë më shumë”, tha Inzaghi.
Testi i radhës për Interin do të jetë Sassuolo, që zbarkon në “San Siro” të mërkurën në mbrëmje, pas fitores së bukur 4-2 ndaj Juventusit.
“Ata janë një skuadër që luan mirë futboll dhe për më tepër, vijnë me moral të lartë, pas një ndeshjeje shumë të bukur ndaj Juventusit. Vlerësim maksimal për Sassuolon dhe shumë kujdes, pasi mund të ndodhë gjithçka”, u shpreh trajneri i Interit.
Top Channel