Akuzat për ryshfet dhe konspiracion rrezikojnë të ardhmen politike të njërit prej senatorëve më me ndikim të Shteteve të Bashkuara.
Ndërsa vetë senatori i mohon me forcë akuzat, ekspertët thonë se akuzat janë serioze dhe dëshmojnë për funksionimin e një sistemi të fortë gjyqësor në Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq në shtetin e senatorit, në Nju Xhersi, banorët nuk shprehen të befasuar.
Senatori demokrat nga Nju Xhersi, Bob Menendez, përballet me një sërë akuzash federale, ndër të tjera se mori rryshfet, që përmes ndikimit të tij të përfitonin tre sipërmarrës dhe qeveria e Egjiptit, si dhe ndihmoi për zgjidhjen e problemeve ligjore të bashkëpunëtorëve të bashkëshortes së tij.
“Agjentët e FBI-së kryen kontroll tek banesa dhe tek banka ku ruanin objektet në kasafortë Senatori Menendez dhe Nadine Menendez në Nju Xhersi. Në dollapët e rrobave, ata zbuluan rreth 500 mijë dollarë të futur në zarfa. Disa nga paratë ishin të futura nëpër xhepat e rrobave të senatorit. Dhe kjo nuk është e gjitha. Agjentët zbuluan edhe sasi të mëdha floriri”, njoftoi Damian Williams, prokuror i distriktit jugor të Nju Jorkut.
Prokurori i Nju Jorkut, Damian Williams
Senatori Menendez ishte përballur edhe më parë me akuza për korrupsion në vitin 2017, por prokurorët nuk e vazhduan çështjen, pasi juria në gjyqin kundër tij, nuk arriti të merrte një vendim nëse ai ishte fajtor, apo jo.
Senatori i ka mohuar me forcë akuzat e reja, por kjo nuk ka befasuar aspak banorët e Nju Xhersit.
“Nuk befasohem. Shumë veprime të paligjshme dhe është e përfshirë edhe e shoqja. Dhe kjo është hera e dytë që akuzohet për korrupsion”, thotë Liz Batan, banore e Nju Xhersit.
“Aspak i befasuar. Pasi ja hodhi njëherë, përse të mos e bënte prapë? Është përqasje tipike prej politikani. Nëse nuk gjendesh ndonjëherë fajtor, është një ftesë që të vazhdosh veprimet që ke bërë”, thotë Jack Sabulich.
Senatori thotë se akuzat janë një sulm politik ndaj karrierës së tij. Ai deklaroi se:
“Forca në prapaskenë janë përpjekur vazhdimisht ta heshtin zërin tim dhe të më bëjnë gropën politikisht. Kam besim se kjo çështje do të zgjidhet me sukses pasi të jenë paraqitur të gjitha faktet, dhe bashkëqytetarët e mi të Nju Xhersit do të shohin të vërtetën”.
Megjithë mohimin e tij, ekspertët thonë se akuzat që i janë ngritur janë serioze.
“Është skemë klasike korrupsioni. Aktpadia ngre tre akuza të veçanta për konspiracion ndaj Senatorit Menendez. Të marra së bashku, Senatori Menendez përballet me një dënim maksimal prej 45 vitesh burgim”, thotë ish-prokurori federal, Adam Kamenstein.
Fotografi nga paratë dhe lingotat e arit të konfiskuara nga FBI-ja
Ai shton megjithatë se edhe nëse gjendet fajtor, dënimi mund të mos rezultojë aq i ashpër.
“Gjykata ka hapësira të mëdha për ta përshtatur dënimin. Pra në fund të ditës, nëse gjendet fajtor, Senatori Menendez mund të dënohet me shumë më pak se 45 vite”, thotë zoti Kamenstein.
Pas akuzave të ngritura javën e kaluar, senatori hoqi dorë nga roli drejtues në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.
Ish-prokurori dhe tashmë profesori Bennett Gershman e konsideron ngritjen e akuzave ndaj një zyrtari të lartë amerikan aktualisht në detyrë, si një dëshmi për funksionimin e sistemit gjyqësor amerikan.
“Ndjesia ime është se sistemi ynë gjyqësor, sistemi ynë i zbatimit të ligjit, vazhdon të mbahet goxha i fortë. Mendoj se aktpadia për Menendezin tregon se megjithëse dikush mund të mendojë se është i plotfuqishëm dhe se nuk do të përballet ndonjëherë me pasojat e pandershmërisë dhe korrupsionit të tij, nuk do të jetë kështu. Nëse Menendez gjendet fajtor, kjo mund t’i ndodhë kujtdo, madje edhe një ish-presidenti”, thotë zoti Gershman, profesor i juridikut në Universitetin Pace.
Ekspertët thonë se mund të jetë e vështirë për Senatorin Menendez të mbijetojë politikisht pas akuzave të ngritura. Vetëm pak orë pasi u njoftuan akuzat, Guvernatori i Nju Xhersit, Phil Murphy, i bëri thirrje kolegut të tij demokrat të jepte dorëheqjen.
Top Channel