Në një asnjë moment Mirosllav Lajçak nuk e cilësoi si terrorist sulmin e një ditë më parë ndaj policisë së Kosovës, por në reagimin e tij më të fundit për ngjarjen i mëshoi sërish domosdoshmërinë e dialogut si mënyrë për të parandaluar dhunën.
“Sulmi ndaj policëve në veri të Kosovës është një akt frikacak dhune thellësisht shqetësues dhe është në kundërshtim me vetë parimet e paqes dhe bashkëpunimit. Mendimet e mia janë me viktimat, familjet, miqtë dhe kolegët e tyre. Ky sulm i tmerrshëm thekson më tej domosdoshmërinë e diplomacisë dhe dialogut parandalues, nënvizuar gjatë javës së kaluar, kur mora pjesë në javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York”, është shprehur Lajçak.
I dërguari i BE-së shtoi se në margjinat e javës së nivelit të lartë, ka diskutuar me drejtues dhe kolegë të shumtë nga e gjithë bota, e në një mënyrë apo një tjetër, u shpreh ai, theksuam rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit. Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell, dënoi sulmin e një “bandë e armatosur” , siç e përshkroi ai, kundër zyrtarëve të Policisë së Kosovës në veri.
“Të gjitha faktet për sulmin duhet të vërtetohen. Përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë”, tha Borrell, duke shtuar se “më shumë jetë të personave të pafajshëm janë duke u rrezikuar nga armiqësitë rreth Manastirit në Banjskë. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë”, theksohej më tej në reagimin e tij.
Edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier i ka dënoi ashpër sulmet të cilat ai nuk ngurroi t`i përshkruante si të orkestruara” ndaj Policisë së Kosovës, në veri.
“Policia e Kosovës ka legjitimitet të plotë për të garantuar sundimin e ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne e pranojmë dhe respektojmë rolin e saj si përgjigja e parë ndaj emergjencave dhe situatave të krizës”, ishte komenti tij.
Ashpër ndaj sulmeve reagoi edhe drejtuesja e misionit të OKB në Kosovë, Caroline Ziadeh. Ndërkohë, dy serbë të plagosur pjesëtarë të formacionit që sulmoi Policinë e Kosovës, të cilin janë larguar nga Kosova, janë duke u trajtuar në Spitalin e Përgjithshëm në Novi Pazar të Serbisë. Media serbe Nova raportoi se hyrjen e spitalit e kanë mbikëqyrur gjatë gjithë natës pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Top Channel