Kukës, vijon numërimi/ Socialisti Albert Halilaj drejt fitores më të thellë se Safet Gjici në 14 maj

25/09/2023 08:36

Kuksianët duket se kanë zgjedhur përsëri Partinë Socialiste për t’i qeverisur me një kryetar bashkie, i cili është duke e udhëhequr garën, Albert Halilajn.

Nga 74 kuti në total, deri më tani janë numëruar 64 kuti, ku kryeson kandidati i PS-së Albert Halilaj me 11260 vota, ndërsa kandidati i propozuar nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, ka siguruar deri më tani 6446 vota.

Zgjedhjet e 14 Majit në Kukës prodhuan rezultatin 11.632 vota për Safet Gjicin ndërsa 9.592 vota për Admir Sinamatin i koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Gjici fitoi ato zgjedhje me +2040 vota.

Socialistët pritet ta thellojnë edhe më shumë këtë rezultat deri në numërimi  e kutisë së fundit. I dërguari i Top Channel në Kukës Muhamed Veliu, thotë se procesi i numërimit ka nisur rreth orës 23:00 të ditës së djeshme. Numërimi vijon pa ndërprerje, megjithëse lodhja e numëruesve është evidente. Nëse vijohet me të tilla ritme numërimi, pritet përfundimi i kutisë së fundit jo përpara orës 12:00 të së hënës.

Emri Vata, kandidati “Bashkë Fitojmë” ka qëndruar në vendin e numrit të votave deri pas mesnatës dhe është larguar, pasi ka kuptuar se trendi i kutive të numërimit nuk ishte në favorin e tij. Bashkë me të janë larguar edhe deputetët e PD-së, të cilët e shoqëronin.

Procesi i numërimit nisi me shumë vonesë, si pasojë e një numri të madh personash në vendin e numërimit. Është dashur ndërhyrja e policisë për të zbrazur palestrën e më pas ka lejuar vetëm një numër të caktuar vëzhguesish të dy subjekteve politike.

I rrethuar nga mbështetësit e tij, Albert Haliaj është prezent në palestrën e shkollës Lidhja Prizrenit që prej nisjes së numërimit. Drejtoria vendore e policisë Kukës me shumë profesionalizëm përmes një sistemi me numra, ndihmoi në mbarëvajtjen e administrimit të materialeve zgjedhore deri në mbërritje e kutisë së fundit.

Top Channel