Ceremonia në nderim të policit Afrim Bunjaku, i cili u vra nga grupe serbe më 24 shtator në veri ka nisur.

Në mbledhje janë duke marrë pjesë familjarët e policit të vrarë, krerët e shtetit dhe qytetarë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani në fjalimin e tij tha se polici Bunjaku ka qenë shembull gjatë 22 viteve kur ka punuar në Policinë e Kosovës.

“Bunjaku kaloi në detyrë në Zveçan, si mbikëqyrës i njësit patrullues, i cili kreu punën me përgjegjësi deri në rënien e tij. Gjatë punës së tij 22 vjeçare, ka dëshmuar dhe ndihmuar punën për qytetarët, ka qenë shembull, u shpërbly me mirënjohje, e certifikata. La pas vetën bashkëshorten, dy djem dhe një vajzë, të cilët duhet të jenë krenarë me të ashtu siç jemi ne”, tha Kelani.

Afrim Bunjaku u nderua nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me urdhrin “Hero i Kosovës”. Nderimin e tij e pranuan dy djemtë e policit të ndjerë.

Presidentja Osmani tha se rreshteri, Afrim Bunjaku ra në mbrojtje të rendit, ligjit, integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës.

“Ai ra në mbrojtje të dinjitetit të Republikës sonë. Prandaj sot në emër të qytetarëve do t’i ndaj post-mortem urdhrin më të lartë të Republikës ‘Hero i Kosovës’. Shteti ynë nga sot ka edhe një hero, një kujtim më shumë për një njeri që me profesionalizëm dhe përkushtim iu dedikua mbrojtjes së Republikës për të cilën ra në krye të detyrës”, tha ajo.

Osmani tha se Kosova sot po nderon një hero të vërtetë, një rreshter policie trim dhe vetëmohues i cili sakrifikoi jetën për sigurinë e të gjithë qytetarëve.

“Afrim Bunjaku sikurse edhe të gjithë pjesëtarët të tjerë të policisë së Kosovës dje u sfiduan nga bandat terroriste të dirigjuara nga Beogradi dhe bënë atë që duhet. Rikthyen ligjin, mbrojtën integritetin territorial dhe sovranitetin tonë dhe vunë në vend dinjitetin”, vijoi ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA