Zjarri në fabrikën e bojërave/ Prefekti i qarkut: Afër kishte depo gazi, mund të kishte përmasa të jashtëzakonshme

24/09/2023 10:19

Prefekti i qarkut Emilian Jani ka ndjekur nga afër të gjithë operacionin në zonën pranë fabrikës së bojërave “Deutche Color” që u përfshi nga flakët natën e kaluar në autostradën Tiranë-Durrës, në Maminas.

Ai shprehet se mbajtja nën monitorim e situatës do të vazhdojë dhe paralelisht me të pritet që hetimet të zbardhin shkaqet e zjarrit që ngriti në këmbë strukturat më të larta të vendit për shkak të rrezikut që paraqiste përhapja e flakëve në një tjetër biznes aty pranë ku ndodheshin sasi të konsiderueshme  gazi.

“Ka rënë një zjarr masiv i përmasave të mëdha. Pas njoftimit që morën strukturat zjarrfikëse u bë e mundur fikja e zjarrit. Problematika kryesore ishin banesat dhe depot e gazit që rrezikoheshin nga vatra e zjarrit të cilat ishin mjaft masive.

Morën pjesë zjarrfikëset e Tiranës, Durrësit dhe ato Kamzës, Vorës, pasi zjarri kishte përmasa të jashtëzakonshme. U bë e mundur izolimi i vatrave të zjarrit. Banesat që ishin afër u izoluan. Nuk patën probleme as me depot e gazit por kryesore vlen të theksohet që nuk ka pasur humbje jete.

Dëmet janë të konsiderueshme. Ekspertët do të përcaktojnë shkaqet e zjarrit, nuk përjashtohet mundësia që të jetë i qëllimshëm”, shprehet Jani.

Dy ekipe zjarrfikësish vazhdojnë të jenë të pranishëm në zonë pasi herë pas here riaktivizohen mbetjet e fabrikës.

Natën e kaluar deri në orët e para të mëngjesit 17 mjete zjarrfikëse, mbi 65 efektivë të shërbimit zjarrfikës nga Durrësi, Tirana dhe rrethet e afërta, efektivë të policisë vendore dhe FNSH-së u përfshinë në operacionin për izolimin e flakëve dhe shuarjen e tyre në një terren të vështirë për shkak të materialeve të djegshme të fabrikës e që shoqëroheshin dhe me shpërthime të herëpashershme.

Kanë nisur hetimet në lidhje me zjarrin, por dhe me faktin që njoftimi për rënien e tij është bërë me vonesë. Atëherë kur ambienti magazinues ishte përfshirë nga flakët dhe zjarri ishte i dukshëm dhe në distanca të largëta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA