Kjo është pamja e fabrikës së bojërave që u përfshi nga flakët mbrëmjen e djeshme, në autostradën Tiranë-Durrës pranë Maminasit, duke marrë përmasa të mëdha.
Siç shihet nga pamjet, dëmet janë të mëdha, me pjesë të fabrikës plotësisht të shkrumbuara.
Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit që ka përfshirë Deutsch Color-in. Sipas prefektit të qarkut Emilian Jani, mbajtja nën monitorim e situatës do të vazhdojë dhe paralelisht me të pritet që hetimet të zbardhin shkaqet e zjarrit që ngriti në këmbë strukturat më të larta të vendit për shkak të rrezikut që paraqiste përhapja e flakëve në një tjetër biznes aty pranë ku ndodheshin sasi të konsiderueshme gazi.
Dy ekipe zjarrfikësish vazhdojnë të jenë të pranishëm në zonë pasi herë pas here riaktivizohen mbetjet e fabrikës. Gjithashtu në vendngjarje ndodhet edhe policia.
Natën e kaluar deri në orët e para të mëngjesit 17 mjete zjarrfikëse, mbi 65 efektivë të shërbimit zjarrfikës nga Durrësi, Tirana dhe rrethet e afërta, efektivë të policisë vendore dhe FNSH-së u përfshinë në operacionin për izolimin e flakëve dhe shuarjen e tyre në një terren të vështirë për shkak të materialeve të djegshme të fabrikës e që shoqëroheshin dhe me shpërthime të herëpashershme.
Top Channel