Fierin e Vlorën i shpëtoi shiu! Fiken të gjitha vatrat që ishin aktivizuar në fundjavë

24/09/2023 12:20

Shiu ishte shpëtim për fikjen e flakëve që përfshinë Fierin, Patosin dhe Vlorën.

Pas një dite me vatra paralele të shumta zjarri në disa zona të vendit, mëngjesin e të dielës duken sipërfaqe të mëdha toke të djegura, të cilat u neutralizuan falë edhe reshjeve të shiut dhe punës së zjarrfikëse.

Të shtunën u aktivizuan 11 vatra zjarri duke u përhapur me shpejtësi e duke vënë në vështirësi edhe forcat  zjarrfikëse, por këtë të dielë situata është nën kontroll edhe në bashkinë Fier, në zonën e Margllicit në Patos, në pyllin me pisha në Darëzezë dhe në Peshtan.

Shiu ka shuar zjarrin edhe në fshatin Panaja dhe Mifol të Vlorës; ku nuk ka mbetur më asnjë vatër aktive. Gjatë gjithë natës kanë bashkëpunuar forcat zjarrfikëse të Fierit, Patosit, Roskovecit, Lushnjës, Vlorës e Beratit të cilat u ndihmuan edhe nga grupe të Forcave të ndërhyrjes së shpejtë dhe forcat ushtarake; ku qëllimi kryesor ishte mbrojtja vecanërisht e zonave të banuara dhe puseve të naftës.

Tani më rreziku është larguar, por flakët kanë lënë dëme të konsiderueshme, me sipërfaqe të mëdha të djegura, kryesisht ullishte dhe pemë frutore. Pritet që të ngrihet komisioni i vlerësimit të dëmeve, teksa policia ka vënë në pranga një prej autorëve të zjarrvënies, i cili rrezikoi edhe djegien e një lokali në fshatin Panaja, teksa po procedohet penalisht edhe një tjetër.

Policia bën thirrje për ndalimin e zjarrvënieve, pasi është një vepër penale e dënueshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA