Djegia e fabrikës së bojërave ‘Deutsch Color’, reagon pronari Luan Muça: Kjo situatë e vështirë u përballua nga të gjithë bashkë

24/09/2023 19:09

Pronari i fabrikës së bojërave ‘Deutsch Color’, Luan Muça, e cila u përfshi nga flakët dje në autostradën Tiranë-Durrës, pranë Maminasi, ka falenderuar strukturat e shtetit dhe ndihmën e zjarrfikësve, që ndihmuan në shuarjen e flakëve dhe bënë të mundur shpëtimin e pjesës më të madhe të fabrikës.

“Të dashur miq dhe bashkëpunëtorë të Deutsch Color!

Mbrëmjen e djeshme për shkaqe të cilat po verifikohen, fabrika jonë në Maminas, Bashkia Shijak, u përfshi në një zjarr masiv. Me një ndjenjë të thellë mirënjohje dhe me krenari dua t’ju njoftoj se kjo situatë e vështirë u përballua nga të gjithë bashkë! Fatmirësisht nuk patëm asnjë fatkeqësi të parikuperueshme, përveç dëmeve materiale.

Dëshiroj të shpreh mirënjohjen tonë maksimale ndaj të gjitha strukturave të shtetit për ndihmën e dhënë natën e djeshme në fabrikën e Deutsch Color. Nderim të veçantë ndaj reparteve të zjarrfikësve të Forcave të Armatosura, Emergjencave Civile, Shijakut, Durrësit, Tiranës, Kamzës etj, të cilët luftuan për disa orë pa ndërprerje duke vendosur jetën e tyre ne rrezik dhe bënë të mundur shpëtimin e pjesës më të madhe të fabrikës Deutsch Color.

Gjithashtu dëshirojmë të falënderojmë sinqerisht, Ministrin e Brendshëm, drejtorët e përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Emergjencave Civile, drejtuesit e shërbimit zjarrfikës të cilët u gjendën menjëherë në drejtimin e aksionit, për shpëtimin e këtij investimi të rëndësishëm në Shqipëri.

Familja jonë Delta Group dhe Deutsch Color ju shprehim mirënjohjen dhe dëshirojmë të garantojmë miqtë, klientët, bashkëpunëtorët tanë në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në botë se kemi marrë masat për rikthimin në prodhim brenda një kohe shumë të shkurtër.

Luan Muca,

Founder and Ceo Delta Group”, shprehet Luan Muça.

Mbrëmjen e djeshme fabrika e bojërave ‘Deutsch Color’, u përfshi nga një zjarr i cili mori përmasa të mëdha. Dëmet materiale janë të mëdha, ku disa pjesë të fabrikës janë shkrumbuar plotësisht. Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit që ka përfshirë Deutsch Color-in. Natën e kaluar deri në orët e para të mëngjesit 17 mjete zjarrfikëse, mbi 65 efektivë të shërbimit zjarrfikës nga Durrësi, Tirana dhe rrethet e afërta, efektivë të policisë vendore dhe FNSH-së, u përfshinë në operacionin për izolimin e flakëve dhe shuarjen e tyre në një terren të vështirë për shkak të materialeve të djegshme të fabrikës e që shoqëroheshin dhe me shpërthime të herëpashershme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA