Zjarr i madh në fabrikën e bojrave, Ministria e Brendshme thirrje qytetarëve: Shmangni autostradën Tiranë-Durrës

23/09/2023 22:42

Një zjarr i madh ka përfshirë një fabrikë bojrash në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të Maminasit.

Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit që ka përfshirë Deutsch Color-in. Ministria e Brendshme u bënë thirrje qytetarëve të shmanget kalimi i automjeteve në autostradën Tiranë-Durrës-Tiranë. Ndërkaq, në vendngjarje ndodhen Policia dhe zjarrfikëset.

Shërbimet policore kanë ndërhyrë për të evakuuar dhjetëra qytetarë që ndodheshin në një lokal dasmash në zonë. Dasmorët kanë qenë duke festuar, kur zjarri masiv që ka përfshirë fabrikën ka ndërprerë gëzimin.

Shërbimet zjarrfikëse të Durrësit dhe Tiranës në vendngjarje po luftojnë me flakët për të mbajtur nën kontroll zjarrin përmasat e të cilit janë të mëdha. Top Channel mëson se materialet që digjen brenda objektit në flakë favorizojnë zjarrin.

Në vendngjarje dëgjohen herë pas here shpërthime. Situata konsiderohet shumë kritike pasi në një distancë jo të largët me objektin në flakë ndodhen edhe depozita gazi. Ndaj një pjesë e mirë e përpjekjeve për të shuar flakët është fokusuar në këtë drejtim.

Në zonë është stakuar energjia elektrike për të shmangur rëndimin e pasojave. Autostrada gjithashtu është e bllokuar në dy kahet e lëvizjes dhe qarkullohet vetëm në rrugën e vjetër.

Në vendngjarje ka mbërritur edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, ndërsa që në momentet e para operacioni i ndërhyrjes po ndiqet nga drejtuesit e policisë vendore të Durrësit, kreu i DVP Durrës Skënder Hita dhe kreu i shtabit të Emergjencave Civile për qarkun e Durrësit, prefekti Emilian Jani.

Është kërkuar ndihmë dhe nga shërbimet zjarrfikëse të rretheve të tjera, pasi diluenti dhe lëndët e tjera të djegshme e bëjnë kritike situatën.

Për shuarjen e flakëve në fabrikën e bojrave në Maminas janë angazhuar 15 mjete zjarrëfikëse, 65 forca zjarrëfikëse, 200 forca policie dhe vullnetarë. Ndërhyrja e zjarrfikësve të shumtë po izolon përhapjen e zjarrit, duke mos lejuar flakët në objektet e tjera të biznesit në zonë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA