Situatë alarmante në Patos/ Flakët dalin nga kontrolli, rrezikohen depozitat e naftës! Balla: Të mbrohen zonat e banuara

23/09/2023 21:18

Situatë alarmante në Bashkinë e Patosit.

Zjarret të favorizuara nga era dhe errësira e natës kanë dalë nga kontrolli duke djegur me dhjetëra hektarë me ullinj dhe shkurre në Patosin e Vjetër. Situata nuk është premtuese as në Margëlliç, e cila gjithashtu ndodhet nën pushtetin e flakëve.

Sipas banorëve, ka shtëpi që rrezikohen ashtu si dhe depozita me naftë bruto. Po ashtu, një nënstacion elektrik është shkrumbuar nga flakët në Patos, ndërsa OSHEE është detyruar të stakojë energjinë elektrike si masë e nevojshme sigurie.

“Banesa nuk u dogj, por për sekondë shpëtoi. Ndërhynë forcat zjarrfikëse. Ato erdhën në momentin e caktuar që shpëtoi jo vetëm banesa, por edhe depozita e naftës, sepse po të kishte shpërthyer ajo do të ishte bërë shumë… Nënstacioni elektrik u dogj, akoma vijon të digjet. Edhe një banesë aty në fund rrezikon të digjet sepse është shumë pranë flakëve”– tha një banore vendase për Top Channel.

“Goditi që zjarrfikëset erdhën në kohë, pa do ishin djegur të gjitha banesat. Tani për tani ka marrë flakë nënstacioni elektrik, kanë shpërthyer edhe transformatorët atje. Pemët janë bërë shkrumb të gjitha. Banesa këtu nuk rrezikohen akoma, andej nga zona e centralit nuk e dimë”- u shpreh një tjetër banor.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se ndërhyrja e zjarrfikseve është e pamundur pasi sipërfaqja me vatra të shumta zjarri është e madhe dhe terreni shumë i vështirë.

Në një reagim referuar situatës, Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaron se po punohet për shuarjen e flakëve dhe mbrojtjen e zonave të banuara.

“Po ndjekim situatën në Bashkinë Patos, në fshatin Margëlliç, ku po luftohet me zjarrin, i cili ka marrë përmasa tepër të mëdha. Forcat zjarrëfikëse të Patosit, Roskovecit, Fierit, kompanisë Albpetrol po punojnë në disa drejtime për të mbrojtur zonat e banuara, ndërsa janë nisur forca edhe nga Lushnja, Vlora dhe Berati. Policia e Shtetit ka dërguar efektivë të shumtë të FNSH, ndërsa ka arrestuar autorin e dyshuar të kësaj zjarrvënie”- shkruan Balla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA