Pavarësisht refuzimit prej një kohë të gjatë të kontrolleve kufitare me Poloninë e Çekinë, ministrja gjermane e Punëve të Brendshme, Nancy Faeser duket se po dorëzohet tani përballë kësaj kërkese të Unionit.
Në debatin për kufizimin e emigracionit të ilegal, ministrja la të kuptohet se do të verifikojë kontrollet lokale kufitare me Poloninë dhe Çekinë. “Masa përkatëse shtesë të kontrolleve policore janë aktualisht duke u verifikuar”, bëri të ditur një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë për agjencinë gjermane të lajmeve, DPA.
Më parë në një intervistë për gazetën “Welt am Sonntag”, Faeser ishte treguar e hapur për masa të tilla.
“Sipas mendimit tim është një mundësi për të luftuar më shumë kriminalitetin e kontrabandës”, qe shprehur ajo, duke shtuar sidoqoftë se kontrollet shtesë duhet të bashkëveprojnë me mbikëqyrjen e të gjithë zonës kufitare përmes kontrolleve të maskuara. Ka kohë që për këtë arsye është forcuar prezenca e policisë federale në kufijtë polakë dhe çekë, kujtoi Faeser.
Sipas saj, vendimtare është ruajtja e kufijve të jashtëm të BE-së, “të cilën e arrijmë me një sistem të përbashkët azili.”
Një ditë më parë, Faeser deklaroi në Bundestag se kontrolle të tilla mund të jenë “pjesërisht” efektive edhe në luftimin e kontrabandës, por opozita e akuzoi qeverinë, se po bllokon masat që duhen marrë kundër shifrave në rritje të refugjatëve, si kontrollet kufitare edhe kategorizimin e Gjeorgjisë dhe Moldavisë vende të sigurta origjinë.
Top Channel