“Vendi i Shqipërisë është në Evropë”! U nda sot nga jeta, deklarata e Napolitanos gjatë vizitës në Tiranë

22/09/2023 22:54

Ish-presidenti italian, Giorgio Napolitano, i cili u nda nga jeta në moshën 98-vjeçare e ka mbështetur Shqipërinë në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.

Ndërsa ishte president i Italisë, Napolitano vizitoi Shqipërinë në vitin 2014.

Në fjalimin e tij para Kuvendit dhe gjithashtu në takimin me homologun e atëhershëm, Bujar Nishani, Napolitano theksoi se Italia do të jetë avokatja e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Ne duam të vazhdojmë të jemi avokati i Shqipërisë dhe personalisht jam i bindur se herët a vonë do të arrijmë të fitojmë kauzën e hyrjes së Tiranës në Bashkimin Evropian. Vendi i Shqipërisë është në Evropë”, deklaroi Napolitano.

Gjendja shëndetësore e ish presidentit italian javët e fundit ishte përkeqësuar, ndërsa mbylli sytë përgjithmonë në një spital në Gianicolo në Romë.

Napolitano ishte deputet që prej vitit 1953 dhe eksponent kryesor i Partisë Komuniste Italiane, ndërsa nga fundi i viteve ‘80 ishte ndër protagonistët e tranzicionit të PCI drejt socializmit demokratik të stilit evropian.

Top Channel