Vdekjet nuk zmbrapsin klandestinët: Zbarkim i ri në Lampeduza, Meloni “luftë globale”!

22/09/2023 08:22

Rreziku i rrugëtimit që vazhdon të marrë jetë njerëzish, nuk i ka zmbrapsur emigrantët nga Afrika që mësyjnë Italinë, shumica me shpresën të lëvizin më pas drejt veriut të Europës.

Të tjera varka me emigrantët kanë mbërritur sërish në Lampeduza, në mesin e thirrjeve të kryeministres italiane Georgia Meloni për një “luftë globale” kundër tregtisë së njerëzve. Sipas të dhënave të autoriteteve italiane, 700 vetë zbarkuan së fundi në ishullin e mbingarkuar.

20 varka mbërriten atje vetëm të mërkurën, pjesa më e madhe me tunizianë. Qendra e pritjes në Lampeduza nuk ka më vend për të ardhur të tjerë. Ishulli i vogël mes Sicilisë dhe Afrikës së Veriut është prej vitesh një ndër pikat problematike të emigracionit drejt Europës. Javën që shkoi, atje mbërriten mijëra emigrant me anije të nisura nga Afrika e Veriut – e brenda një dite u shënua niveli rekord i 5.000 vetëve.

Që nga fillimi i vitit në Itali sipas Ministrisë së Brendshme kanë mbërritur rreth 130.000 migrantë, shifër kjo dy herë më e lartë se gjatë gjithë vitit 2022. Kjo temë ishte ndër çështjet kryesore në prezantimin e parë tëkryeministres të së djathtës radikale, Giorgia Meloni, përpara OKB-së në Nju Jork. Në debatin e Asamblesë së Përgjithshme ajo bëri thirrje në mënyrë të përsëritur ndaj shteteve të tjera, që ta ndihmojnë Italinë.

Unë jam e bindur, se është detyra e kësaj organizate t’u shpallë luftën globale kontrabandistëve të migracionit pa hipokrizi dhe kompromise”, tha Meloni.

Top Channel