Autoritetet italiane raportonin sot se më shumë se 50 njerëz janë arrestuar në një bastisje të shumëfishtë kundër një prej grupeve më të mëdha mafioze në vend.
Operacioni djeshëm kundër ‘mafias Ndrangheta’, i mbiquajtur ‘Karpanthos’, përfshinte më shumë se 400 zyrtarë të karabinierëve, të cilët thanë se kishin burgosur 38 prej te ndaluarve, gjashtë ishin vendosur në arrest shtëpie dhe tetë të tjerë ishin urdhëruar “të mos largoheshin nga qyteti”.
Prokurori Nicola Gratteri, që drejtonte operacionin tha se grupi mafioz është i lidhur me rrjete të gjera trafiku drogash, pastrimi të parave dhe zhvatjeje me dhunë.
Rrjeti siçilian Cosa Nostra që furnizohet nga ‘Ndrangheta’ u shpall sivjet organizata më e fuqishme mafioze në vend dhe është përhapur në Evropë dhe pjesë të tjera të botës.
Zyrtarët thonë se grupi me origjinë nga Kalabria në fundin e “çizmes” së Italisë, ka zgjeruar aktivitetin e tij që prej viteve 1970 duke investuar paratë e “gjobave” në projekte punësh publike të marra me korrupsion, si dhe me trafikun e drogave, kryesisht kokainën.
Drejtoria italiane Anti-Mafia thotë në raportin e gjashtë muajve të fundit se ‘Ndrangheta është kthyer në forcën dominuese të botës kriminale’ shumë përtej vendit të saj të origjinës.
‘Ndrangheta njihet tashmë që ka prezencë deri në Kanada e Australi përveç Evropës Perëndimore, me celula që lidhen me Kalabrinë’, shtojnë zyrtarët italianë, pa shpjeguar sesi arrin rrjeti të jetë kaq efektiv në shmagien e kapjes nga autoritetet.
Top Channel