Ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal pritet të pranojë fajësinë të premten për akuza lidhur me faktin se ka marrë dhe fshehur 225,000 dollarë nga një ish-oficer i inteligjencës shqiptare, i cili sipas të dhënave të gjykatës u bë burim në një hetim të FBI-së.
Axhenda e gjykatës tregon se ai pritet të dalë në një seancë të premten pasdite.
Pranimi i fajësisë, megjithëse nuk dihet konkretisht se për cilat akuza, do të jetë një ndryshim nga deklarimi i tij si i pafajshëm në fillim të procesit.
I pyetur nga Zëri i Amerikës se për cilën akuzë do të pranojë fajësinë zoti McGonigal, një nga avokatët e tij, Seth Ducharme nuk pranoi të bënte komente.
Akuzat më të rënda kundër zotit McGonigal parashikojnë një dënim maksimal prej 20 vjetësh, por pranimi i fajësisë duket të jetë pjesë e një marrëveshjeje me prokurorët për një dënim të zbutur.
Pothuajse gjithmonë një seancë e tillë do të thotë që të dyja palët kanë arritur një marrëveshje dhe qëllimi i seancës është që t’i paraqitet marrëveshja gjyqtares për miratim. Gjykatësi pothuajse gjithmonë e miraton atë. Arritja e një marrëveshjeje do të thoshte që çështja të mos shkojë në gjyq.
Pas seancës të së premtes, do të ketë të paktën një seancë tjetër, që do të jetë ajo e dhënies së dënimit. Gjykatësja Colleen Kollar-Kotelly do ta japë atë në një moment të mëvonshëm.
Akt-padia e ngritur ndaj zotit McGonigal në gjykatën federale të Uashingtonit ka nëntë akuza, mes së cilave ajo se ai kishte marrë të paktën 225,000 dollarë nga shqiptaro-amerikani më pas i identifikuar si Agron Neza, një ish-oficer i zbulimit shqiptar në këmbim të promovimit të interesave të tij të biznesit, pa njoftuar FBI-në për lidhjet e tij me të.
Akuzat kishin të bënin me fshehje faktesh materiale, deklarata të rreme dhe falsifikim dokumentash lidhur me marrëdhëniet me shqiptaro-amerikanin Neza, marrjen prej tij të 225 mijë dollarëve, udhëtime të siguara prej tij dhe të tjerëve dhe mosdeklarimin e tyre, udhëtime të padeklaruara, kontakte me shtetas të huaj, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë dhe deklarimin e pozicionit të tij në kontakte me ta, pavarësisht se po i takonte në cilësi private dhe jozyrtare.
Për një pjesë të kësaj periudhe, Charles McGonigal kishte punuar për sektorin e kundërzbulimit të FBI-së, derisa u largua nga FBI-ja në shtator të vitit 2018 dhe ndër të tjera mbulonte edhe Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.
Ish-zyrtari i lartë i kundërzbulimit të FBI-së, pranoi në gusht fajësinë në një gjykatë në Nju Jork lidhur me akuzën për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë, duke punuar pas daljes në pension për oligarkun rus Oleg Deripaska, të cilin më parë ai e kishte hetuar.
Në këmbim të pranimit të fajësisë, prokurorët hoqën dorë nga akuza të tjera në lidhje me bashkëpunimin e zotit McGonigal me Deripaskën.
Top Channel