Një kriminel famëkeq, trafikant drogash, i akuzuar për vrasjen e kohëve të fundit të kandidatit presidencial në Ekuador, ka publikuar një video muzikore profesionale nga burgu i sigurisë së lartë ku po kryen dënimin.
Video ka ngritur dyshimet se mund të jetë filmuar brenda burgut.
Zhvillimi vjen pasi mijëra ushtarë e policë ishin përfshirë në kapjen dhe më pas transferimin e Adolfo Macias, i njohur ndryshe si Fito, në burgun e ri në Guayaquil pas vrasjes së kandidatit presidencial për të cilën ai besohet se ka porositur.
Muajin e kaluar qindra efektivë bastisën burgun e Fito ku sekuestruan armë, municione e eksplozivë.
Fito, kreu i kartelit famëkeq Los Choneros është dënuar me 34 vjet burg, por gjithsesi ai është shfaqur në një video muzikore që e lavdëronte atë.
Në disa sekuenca ai shihej duke qëndruar ulur në oborrin e burgut të Guayaquil i veshur me unazat e njohura të luanëve në duar, dhe më byrzylykun në të njëjtin stil punimi.
Në videon e quajtur ‘balada e luanit’, Fito tentohet të paraqitet si një person dashamirës e jo kriminel, duke nënkuptuar se ‘qeveria nuk ka kontroll mbi të.’
Autoritetet e burgut shpjegojnë se nuk e dinë sesi është filmuar brenda burgut të sigurisë së lartë dhe se ato nuk kanë dhënë leje të tilla.
Los Choneros është një bandë krimi me rreth 8,000 anëtarë sipas ekspertëve qeveritarë, e lidhur me kartele të tjera meksikane e kolumbiane. Shpeshherë ajo është përfshirë në përleshje me banda të tjera të burgosurish në Ekuador me viktima dhe tortura.
Fito u zhvendos në këtë burg një muaj më parë pas vrasjes demonstative të kandidatit presidencial Fernando Villavicencio, gjatë një mitingu fushate në Quito.
Villavicencio zotohej për luftë ndaj bandave të krimit, por besonte se mbështetja popullore do ta ruante nga rreziqet.
Top Channel