Rregullat e rrepta të vendosura në një minierë kineze në lindje të Serbisë kanë shkaktuar kontradikta dhe reagime negative në vendin e Ballkanit, për shkak të shqetësimeve se kompania po i shkel ligjet serbe të punës.
Sipas një dokumenti të brendshme të firmës kineze, Jinshan Construction, i cili rrodhi në mediat serbe në mes të gushtit, punëtorët në minierë duhet ta nisin çdo ndërrim të punës duke u rreshtuar për inspektim nga menaxherët e vet, si dhe t’i përshëndesin njëzëri mbikëqyrësit e tyre.
Punonjësit e Jinshan Construcion, kompanisë e cila e menaxhon një minierë bakri në qytetin lindor Majdanpek – thanë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se në takimet para fillimit të ndërrimit të punës, punëtorët nganjëherë qortoheshin publikisht për shkelje të vogla dhe iu kërkohej t’i recitonin rregullat e sigurisë së kompanisë. Sipas dokumentit të kompanisë, punonjësve u kërkohet pastaj ta bëjnë “betimin e sigurisë”, në të cilin ata zotohen se do t’i nderojnë rregullat e kompanisë në mënyrën më të mirë që munden. Punëtorët në minierë, megjithatë, thanë për REL-in se vetëm stafi kinezë merr pjesë në betimin publik.
“Neve na kërkohet t’i formojnë tre reshta [për fillimin e çdo ndërrimi], është sikur në ushtri”, tha për REL-in një punëtor serb në Jinshan Construcion në Majdanpek, në kushte anonime, për shkak të frikës se mund të ndëshkohet nga punëdhënësi i vet.
Lajmi për rregullat e rrepta ka shkaktuar reagime të mëdha në Serbi, me grupet dhe unionet e punës që thonë se kushtet e tilla të punës mund të jenë në kundërshtim me ligjet vendore, si detyrimi i punonjësit për t’u betuar dhe për të punuar në kushte të pafavorshme. Si përgjigje ndaj reagimeve publike, Ministria e Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Politikës Sociale e Serbisë e kreu një inspektim në firmën Jonshan Construction në gusht.
Reagimet e kanë zbuluar edhe një ndarje në rritje në Serbi mes kulturave vendore dhe kineze të punës, si dhe një perceptim publik në rritje se autoritetet e vendit janë duke i mbyllur sytë para praktikave të jashtëligjshme të punës nga firmat kineze, të cilat janë duke u bërë tejet jetike për ekonominë serbe.
“Të gjithë këto rregulla bëhen për t’iu bërë të bindeni dhe të mendoni sikur menaxherët kinezë. Nga ju pritet t’i nderoni të gjitha rregullat pa kushtëzime. Duket sikur shpëlarje truri”, tha për REL-in një tjetër punonjës serb në Jinshan Construcion. Sipas tij, të mungosh në takime rrezikon të paguhesh më pak, e madje edhe të përjashtohesh nga puna.
“Matja e pulsit”
Ndjeshmëritë e tilla janë veçanërisht relevante kur bëhet fjalë për sektorin e minierave në Serbi. Jinshan Construction është një nënkontraktor që e udhëheq minierën në emër të gjigantit kinez të minierave, Zijin, i cili e mori në kontroll një shkritore bakri që po punonte me humbje në qytetin Bor në vitin 2018 dhe që prej atëherë ka hapur miniera ari dhe bakri nëpër lindje të Serbisë.
Jinshan Construction dhe Zijin nuk i janë përgjigjur kërkesës së REL-it për koment, por këto kompani ngulin këmbë se i ndjekin praktikat vendore të punës dhe se mbajnë standarde të larta për veprimet e tyre në Serbi. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i ka mirëpritur me entuziazëm Zijinin dhe kompanitë e tjera kineze në vendin e tij, megjithëse disa kompani kanë të kaluar të keqe ndërkombëtare për praktikat e punës dhe për shkeljen e rregulloreve mjedisore.
Derisa Vuçiçi dhe politikanët e tjerë serbë i kanë lartësuar Zijinin dhe kompanitë e tjera që po e mbajnë në këmbë prodhimtarinë në telashe të Serbisë, këto kompani janë zhytur në skandale në vitet e fundit për shkak të degradimit mjedisor, vonimit të pagave për punonjësit serbë dhe keqtrajtimit të punëtorëve kinezë dhe të huaj që i kanë sjellë për të punuar në Serbi.
Mario Reljanoviq, presidenti i Qendrës për Punë të Dinjitetshme, një organizatë joqeveritare serbe që lobon për mbrojtje më të madhe në vendin e punës, tha në një letër publike se polemikat e fundit tregojnë se Zijin dhe filiali i saj Jinshan Construction qartazi ndihen rehatshëm gjatë veprimtarisë të tyre në Serbi sipas interesave të tyre, pavarësisht se a është ajo në përputhje me ligjin apo jo.
“Duket se këto kompani nuk kanë ndjesi për dallimet kulturore. Ato operojnë sikur nuk janë në Serbi, por në Kinë, e për këtë fajin e ka vendi ynë”, tha Reljanoviç për gazetën serbe Danas.
Sipas shifrave të publikuara në gusht pas rrjedhjes së dokumentit në mediat serbe, Jinshan Construction i ka 414 punonjës serbë dhe 158 kinezë. Zijin e ka pranuar se rregullat në dokument janë të saj, por tha se ato nuk aplikohen në minierat ku kjo kompani operon në Serbi.
“Këto rregulla vlejnë vetëm për punonjësit e nënkontraktorit Jinshan Construction”, tha Zijin në një komunikatë për media më 14 gusht.
Goran Antiç, president i Unionit të Pavarur të Punës të Minierës së Bakrit në Majdanpek, tha për REL-in se një dokument i ngjashëm kishte qarkulluar në mesin e punëtorëve të punësuar drejtpërdrejt nga Zijin, por se gjiganti i minierave kishte vendosur përfundimisht të mos i aplikonte ato.
“U vendos se nuk ishin në përputhje me legjislacionin tonë dhe se nuk ishin të përshtatshme, për shkak se ne nuk jemi as formacion policor e as ushtarak”, tha Antiç.
Antiç tha se nuk është e qartë pse Jinshan Construction vendosi t’i përdorë këto rregulla kur kompania e madhe Zijin nuk i përdor, por ai shtoi se është e zakonshme për këtë kompani dhe filialet e saj të tentojnë ta “matin pulsin” kur bëhet fjalë për aplikimin e politikave kontradiktore dhe testimin e reagimit të unioneve.
Në rastin e Zijin, Antiq tha se reagimi nga unioni i minierave ishte i shpejtë kur u publikua dokumenti dhe kompania përfundimisht hoqi dorë nga kjo politikë. Si përgjigje ndaj reagimit publik për rregullat e reja për punëtorët e Jinshan Construction, Ministria e Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Politikës Sociale e Serbisë e kreu një inspektim dhe tha se kompania nuk e ka shkelur ligjin.
Ministria tha për REL-in se zëvendësdrejtori i kompanisë ia kishte shpjeguar inspektorit secilin rregull të shkruar në dokument që punonjësit pritej ta respektonin. Sipas Jinshan Construction, rregullt kishin të bënin me “shëndetin dhe sigurisë e punonjësve” dhe “ngritjen e vetëdijesimit të punonjësve”.
Ndërsa, në lidhje me detyrimin e punonjësve për t’u betuar – siç dëshmohet në dokument, Jinshan Construction i tha Ministrisë se betimi vlen vetëm për punonjësit kinezë që punojnë në minierë, dhe jo për qytetarët serbë. Ministria tha se ende është duke e inspektuar kompaninë.
Kontradiktat e kaluara
Shpjegime të tilla nga Jinshan Construction dhe Zijin nuk do t’u pëlqejnë aktivistëve të punës në Serbi, të cilët vazhdojnë t’i kritikojnë praktikat e të dy kompanive në këtë vend. Të dy kompanitë janë përballur me kontradikta në vitet e fundit, posaçërisht në lidhje me mënyrën sesi i kanë trajtuar punëtorët kinezë dhe ata jo serbë.
Më 2021, punëtorët kinezë të punësuar nga Jinshan Construction thanë për REL-in se u përballën me kufizime në lëvizje, si dhe kërcënime nga menaxherët nëse do të flisnin publikisht për kushtet e këqija të punës dhe jetesës në lindje të Serbisë, përfshirë për mungesën e higjienës dhe të ngrohjes në kampet e punës, përveç ushqimit të cilësisë së dobët. Disa punëtorë kinezë thanë, po ashtu, se menaxherët e tyre u kishin thënë se e kanë të ndaluar kontaktin me komunitetin vendor serb.
Jinshan Construction i hodhi poshtë pretendimet e punëtorëve.
China Labor Watch, një OJQ me bazë në Nju Jork e cila avokon për të drejtat e punëtorëve kinezë, tha për REL-in se gjatë viteve ka marrë informacione për shkelje të vazhdueshme të të drejtave të punëtorëve kinezë në Serbi, përfshirë edhe “marrjen e pasaportave, mospagimin e rrogave dhe punës jashtë orarit, si dhe për kufizimin e lirisë së lëvizjes”.
Një polemikë tjetër ndodhi në vitin 2021, ku përfshihej kompania kineze Linglong, e cila po e ndërton një kompani të gomave gati 1 miliard dollarëshe në Serbi, dhe kushtet e këqija të jetesës për punëtorët vietnamezë të cilët u sollën për të ndihmuar në përfundimin e projektit të ndërtimit.
Siç u dokumentua përmes dëshmive nga punëtorët dhe nga imazhet e shpërndara në mediat lokale dhe ndërkombëtare në atë kohë, rreth 500 punëtorë vietnamezë ishin vendosur në baraka të improvizuara afër zonës së ndërtimit pa rrymë, ujë të ngrohtë, apo qasje në ushqim të duhur.
Shumicës së punëtorëve u ishin marrë pasaportat nga menaxherët e tyre sapo ishin futur në Serbi. Grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut thanë se këto praktika përbëjnë shfrytëzim, dhe në disa raste, trafikim me njerëz. Pas stuhisë mediale, punëtorët vietnamezë u dërguan në një vend të ri me kushte më të mira të jetesës dhe disa prej punëtorëve thanë për REL-in në atë kohë se punëdhënësi i tyre ua kishte kthyer pasaportat. /REL
Top Channel